
Kjo mesjavë ia lë radhën Kupës së Shqipërisë, ku do të luhen ndeshjet e para çerekfinale.
Gjithçka nis sot, në orën 13:00, në një ndeshje të fortë mes Egnatias dhe Laçit, në stadiumin e Rrogozhinës. Dy skuadra që janë rivale direkte në kampionat për një vend në Evropë, sot do të sfidojnë njëra-tjetrën në një rrugë më të shkurtër për në arenën evropiane, siç është Kupa.
Ndërkohë, Tirana luan në stadiumin e Kamzës, përballë Kastriotit. Krutanët nuk kanë çfarë të humbin dhe do të provojnë deri në fund për surprizën, ndërsa bardheblutë kërkojnë që të hipotekojnë kualifikimin që në ndeshjen e parë.
Ndërsa të mërkurën do të luhen dhe dy takimet e tjera. Teuta pret në “Niko Dovana” Kukësin, dy ekipe që javët e fundit kanë rigjetur forcën dhe janë ngritur në klasifikim.
Gjithçka mbyllet në orën 17:00, me supersfidën e këtyre çerekfinaleve, ku Vllaznia sfidon Partizanin në “Loro Boriçi”. Dy skuadra me objektiva të mëdha këtë sezon, por në fund vetëm njëra prej tyre do të marrë një biletë për në gjysmëfinale të Kupës. (A2 Televizion)