Moti i keq, me reshje shiu intensive, ka ndikuar në rritjen e nivelit të lumit të Vjosës, ku për pasojë në Novoselë lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur 7 banesa, ndërkohë që 4 të tjera janë përmbytur në “Fitore”, të cilat ishin të ndërtuara në shtratin e lumit.
Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, tha për A2 CNN se situata në Fitore është kritike, pasi argjinatura në urën e Mifolit është çarë dhe ndërkohë po punohet për bllokimin e saj. Mamaj tha se niveli i ujit në lumin Vjosa është në pikë kritike dhe rrezikohen banesat e tjera.
Ndërkohë, si pasojë e dëmtimit të urës së Mesaplikut, 300 banorë kanë mbetur të izoluar dhe të tjerë që nuk kanë mundur të kalojën mbrëmjen e djeshme në shtëpi e kanë kaluar natën në automjetet e tyre.
Në zonën e quajtur “Bishti i Malit”, aks që lidh Vlorën me Selenicën, ka prezencë të ujit në rrugë dhe patrullat janë në terren duke informuar drejtuesit që të mos kalojnë pasi është e rrezikshme. Ka pasur dëmtime edhe në urën e Llakatundit dhe Kallaratit. (A2 Televizion)