
Manchester City fitoi pa problem ndeshjen e prapambetur me West Ham. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola kaloi me rezultatin 3-0 dhe u rikthye në krye të renditjes së Premier League, duke parakaluar Arsenalin.
Edhe pse e dominoi sfidën, “Qytetarët” arritën ta zhbllokonin rezultatin vetëm në minutën e 50-të, me rrjetën e mbrojtësit Aké. Në atë që mund të rezultojë suksesi vendimtar në garën për titull, nuk mund të mungonte firma e të zakonshmit Erling Haaland.
Ylli norvegjez shpalosi të gjithë klasin, ku i vetëm me portierin realizoi një parabolë të shkëlqyer. Me rrjetën e 35-të në kampionat, Haaland u shndërrua edhe në lojtarin që ka shënuar më tepër brenda një sezoni në Premier League, duke kaluar Andy Cole dhe Alan Shearer.
Për të vulosun triumfin mendoi Phil Foden, në minutën e 85-të. City tashmë ka një pikë më tepër se Arsenali në renditje dhe një ndeshje më shumë për të luajtur.
Buzëqeshi edhe Liverpool, që fitoi 1-0 përballë Fulham. Ndeshja në Anfield Road u vendos nga goli i Mohamed Salah, me penallti në minutën e 39-të.
Reds ngjiten në kuotën e 59 pikëve dhe vijojnë të besojnë te përmbysja për një biletë në Champions, edhe pse janë 4 pikë larg Manchester United që megjithatë ka luajtur dy ndeshje më pak. (A2 Televizion)