PS në krah të Xhaçkës, demokratët drejt ankimit në Kushtetuese

Nga A2 CNN
19 Tetor 2022, 16:37 | Politikë
PS në krah të Xhaçkës, demokratët drejt ankimit

Mazhoranca i cilësoi të pabazuara në prova pretendimet e opozitës që kërkon ndërprerjen e mandatit parlamentar të ministres Olta Xhaçka. Demokratët në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, lajmëruan se pavarësisht votave kundër të socialistëve, do ta çojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Socialistët vendosën t’i qëndrojnë në krah Olta Xhaçkës, duke votuar kundër kërkesës së opozitës për ta çuar legjitimitetin e mandatit parlamentar të ministres në tryezën e Gjykatës Kushtetuese. Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, mazhoranca paraqiti raportin e saj duke argumentuar përse gjykon se Kuvendi nuk mund të vërë në lëvizje trupën kushtetuese. Klotilda Bushka u shpreh: “Provat e paraqitura nuk janë të mjaftueshme për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese”.

Demokratët e Enkelejd Alibeajt kishin një qasje tjetër, ku gjatë prezantimit të raportit insituan se bashkëshorti i Ministres së Jashtme ka përfituar nga pasuritë publike, e për rrjedhojë, edhe ajo vetë, sipas parashikimeve të Kodit të Familjes. Nëse kjo do të vërtetohej, do të vinte në pikëpyetje legjitimitetin e mandatit të saj.

Gazmend Bardhi tha: “Bashkëshorti i Olta Xhaçkës, për rrjedhojë vetë Xhaçka, sipas Kodit të Familjes, ka përfituar nga pasuritë publike”.

Qëndrimet e kundërta do të thotë se në seancë plenare do të shkojnë për votim dy raporte dhe votat i ka shumica socialiste. Por, deputetët opozitarë e bënë të qartë se beteja e tyre ligjore do të vijojë pavarësisht kartonëve të kuq.

“Do ta çojmë në Kushtetuese dhe do të kthehemi prapë këtu”, tha Bardhi.

Të njëjtën kërkesë për ndërprerjen e mandatit të Xhaçkës kishte depozituar në Kuvend edhe grupimi i Berishës. Këshilli i Rregullores dhe Mandateve i trajtoi ato si të unifikuara, ashtu siç pritet të jetë edhe vota e dy grupimeve në seancë plenare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos