Policia e Korçës ka publikuar planin e masave për Maratonën Kombëtare dhe Ndërkombëtare që do të zhvillohet nesër në Pogradec. Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë do të marrin masa për ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë dhe pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore. Policia informon drejtuesit e mjeteve se do të bllokohen nga ora 19:00 deri në orën 20:30 akset rrugore “Lin-Pogradec”, “Qafë Plloçë-Pogradec”, segmenti i rrugës “Tushemisht-Pogradec” do të jenë të bllokuara në të dyja korsitë.




Gjithashtu do të bllokohen edhe rrugët në brendësi të qytetit të Pogradecit, deri në përfundimin e këtij aktiviteti dhe kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës nga fillimi deri në përfundim të tij.
Ky aktivitet sportiv maratonë përfshin dy disiplina:
• Disiplina e parë (21 km) “half maratonë”, e cila starton nga fshati Lin, vazhdon përgjatë aksit rrugor buzë liqenit dhe përfundon në qendër të qytetit të Pogradecit;
• Disiplina e dytë (10 km) “mini maratonë”, e cila straton nga qendra e qytetit të Pogradecit dhe vazhdon drejt fshatit Buçimas dhe Tushemisht, duke përfunduar tek pika e nisjes, në qendër të Pogradecit, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse. (A2 Televizion)