
“Armët do t’i mbajmë në duar dhe nuk do t’i ulim”. Me këtë fjali, forcat ukrainase refuzuan ultimatumin e Rusisë për t’u dorëzuar në qytetin e rrethuar të Mariupolit, në atë që e konsideruan një dritare shpëtimi për pjesëtarët e rezistencës.
Kievi zyrtar përgënjeshtroi edhe një herë pretendimet e Moskës se ka marrë kontrollin e zonave kyçe të këtij qyteti port. Në kundërpërgjigje, Ministria ruse e Mbrojtjes kërcënoi të eleminonte ushtarët e rezistencës që po luftojnë prej javësh në mbrojtje të Mariupolit. Moska madje pretendon se përgjigjen për refuzimin e ultimatumit për dorëzim e mori duke përgjuar bisedat telefonike mes ushtarëve dhe zyrtarëve ukrainas.
“Në rast të rezistencës së mëtejshme, të gjithë ata do të eleminohen”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse. Moska tha se ka shkatërruar dhjetra ndërtesa ushtarake në lindje të Ukrainës në sulmet e fundit, përfshirë depozita karburanti dhe armësh.
Nga ana tjetër, Kievi paralajmëron se forcat ruse mund të zbarkojnë masivisht në Mariupol, edhe përmes detit, për të tentuar marrjen e kontrollit të plotë.
Ndërsa Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, situatën në qytetin port e konsideroi çnjerëzore. Ai paralajmëroi sërish që Rusia mund të përdorë armë bërthamore: “Nuk duhet të presim që Rusia të përdorë armët e saj bërthamore. Bota nuk duhet të presë, porduhet të përgatitet për këtë në një sërë mënyrash, jo vetëm të përgatitet me bunkerë.Por duhet të flasin me ta, të nënshkruajnë një dokument, për të shtrydhurekonominë e tyre që as të mos e mendojnë”.
Zelensky nënvizoi se sulmi i pandërprerë i Rusisë në qytetin e Mariupolit dhe zbulimi i mundshëm i më shumë krimeve kundër civilëve do t'i bëjnë të pamundura bisedimet e mëtejshme diplomatike: “Kur lufta të ketë mbaruar, ne mund të mendojmë për diplomacinë. Ata duan ta zgjidhin problemin në rrugë diplomatike, kur ka luftë, është shumë e vështirë. Kjo është arsyeja pse ata duan të marrin disa nga territoret tona, për t'i pushtuar më shumë, për të pasur një presion të tillë. Atëherë nuk bëhet fjalë për diplomaci, pra pse po takohemi?”.
Sakaq, bombardimet ruse kundër Kievit nuk ndalen. Autoritetet lokale njoftuan se të dielën në mëngjes u shënjestrua një zonë në periferi e kryeqytetit, duke shkatërruar disa pjesë të infrastrukturës jetike që mund të sjellë ndërprerje në furnizimin me energji dhe ujë. Luftimet janë intensifikuar në Ukrainën lindore, ku Rusia ka përqendruar forcat e saj javët e fundit.
Zyrtarët në rajonin e Luhanskut kanë raportuar bombardime të vazhdueshme të qyteteve, duke përfshirë Kreminna dhe Lysychansk. Ndërkohë, situata në rajonet jugore të Mykolaiv dhe Kherson të Ukrainës është “gjithnjë e më shumë armiqësore” pas fundosjes së një luftanijeje ruse në Detin e Zi. (A2 Televizion)