Presidenti Ilir Meta zhvilloi komunikimin e përjavshëm me gazetarët në selinë e Presidencës, ku bëri sërish një përmbledhje të zhvillimeve të javës së fundit.
Kreu i Shtetit deklaroi se ka dekretuar ligjin për huamarrje nga FMN për të përballuar pasojat e pandemisë, por kërkoi nga qeveria që të ketë kujdes me Borxhin Publik.
“Kam dekretuar me shpallje ligjin për huamarrjen prej FMN që i akordon Shqipërisë përmes instrumentit të financimit të shpejtë. Ky akt vjen si një masë mbështetëse nga FMN përmes një instrumenti të financimit të shpejtë për përballimin e pasojave që ka sjellë pandemia e Covid-19. Dua të tërheq vëmendjen mbi nivelin e lartë të Borxhit Publik si dhe ndërmarrjen e iniciativave të reja ligjore të cilat rrezikojnë rritjen e nivelit të këtij borxhi më tej. Ripërsëris nevojën e analizimit të nevojave më prioritare për të përcaktuar shumën e duhur në kohë të huamarrjes dhe për mbajtjen nën kontroll të borxhit”, u shpreh Meta. (A2 Televizion)