Qeveria prezantoi zyrtarisht kryenegociatorin e Shqipërisë me Brukselin për anëtarësimin në unionin evropian, por i pyetur nga A2, Edi Rama nuk guxoi të shqiptonte një datë për tryezën e parë ndërqeveritare.
“E kam mësuar nga eksperienca, mos vërë asnjëherë data me BE-në. Janë ata që i vendosin dhe i shtyjnë. Boll i bëmë dy dasma gati dhe nuk na erdhën krushqit pastaj”.
Marrëveshja për reformën zgjedhore është një ndër prioritetet kryesore për ketë tryezë. Por çfarë nënkuptonte kur në parlament e vari në fije të perit këtë marrëveshje me opozitën jashtëparlamentare?
“Nuk i kemi asnjë detyrim PD-së dhe ajo marrëveshje do të shkojë në parlament. Ne i qëndrojmë asaj marrëveshje, por që ajo të votohet, ata duhet të merren me punë të tjera dhe të mos vazhdojnë me sharje dhe kërcënime. Më falni, por unë nuk kam respekt për Bashën se sa kam për Hajdarin apo Murrizin”.
E ndryshme ishte qasja e Zef Mazit, i cili preferoi të mbante petkun e teknicienit mbi palët.
“Do të pyes, do të dëgjoj, do të konsultohen dhe do të raportoj”, tha Mazi.
Edhe me presidentin, Mazi tha se do të kishte një raport të mirë institucional, ndonëse Meta kishte kërkuar që kryenegociatori të ishte një emër konsensual. “Me presidentin njihem, e kam pasur kryeministër dhe ministër të Jashtëm dhe e vlerësoj çfarë ka thënë për mua. (A2 Televizion)