A2 CNN ka siguruar marrëveshjen e plotë për ndërtimin e portit të Jahteve në Durrës, i cili është një nga temat më të nxehta gjatë ditëve të fundit të përplasjeve të opozitës me qeverinë.
Investimi prej 2 miliardë eurosh në portin e ri të Durrësit pritet të përfundojë në vitin 2026. Parashikohet ndërtimi i një porti marinë, me jahte, hotele, qendra tregtare dhe ambiente argëtuese. Ky projekt, do të financohet 50% nga aksioner dhe 50% do të jetë financim bankar.
Në marrëveshje, ndër të tjera, parashikohet një arkëtim prej 3,2 miliardë eurosh, 1,2 miliardë euro neto fitim. Në marrëveshje është parashikuar ndërtimi i 1,3 mln – 2,2 mln sipërfaqe banime, me 850 dhoma hoteli.

Këtë të premte, Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi ndaj asaj që e cilëson si aferën e Portit të Durrësit. Nënkryetari Oerd Bylykbashi, njëherësh deputet i qytetit bregdetar, deklaroi se PD-ja kërkon nga Kushtetuesja të mos lejojë grabitjen e një pasurie publike, që sipas tij, i jepet kompanive offshore të lidhura me pushtetarët.
Ndërkohë, pas padisë reagoi edhe Rama. “Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!”, shkruan Rama në Twitter. (A2 Televizion)










