
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar 7 mbledhje të përbashkëta prej vitit 2014. Në këto takime, janë firmosur 166 marrëveshje dhe memorandume, 18 prej të cilëve në fushën e arsimit.
Por, teksa kanë kaluar më shumë se 6 vite nga marrëveshjet e para të firmosura, shumica prej tyre ose nuk kanë nisur të zbatohen, ose kanë hasur në burokraci gjatë implementimit.
Në takimin e 26 nëntorit, u rifirmosën marrëveshje në fushën e arsimit, të cilat kanë për synim njohjen dhe njehsimin e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, përafrimin e kurrikulave mësimore dhe krijimin e një abetareje të përbashkët.
Për zbatimin e marrëveshjeve të reja, si edhe atyre të nënshkruara më herët, në takimin e përbashkët në Elbasan u njoftua edhe krijimi i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, i cili do të ndjekë zbatimin e marrëveshjeve midis qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. (A2 Televizion)