
Përmes dy vendimeve të shpallura në harkun e një ore, Gjykata e Apelit të Posaçëm konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për tre të pandehur. Dënimi përjetë mbeti i pandryshuar për Orges Bilbilin e Anetrio Kaloshin, të fajësuar për “masakrën e Lushnjës”, tetorin e vitit 2017, ku u vranë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si edhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Kolegji Penal i Apelit refuzoi ankimin e bërë nga Bilbili e Kaloshi, kundër vendimit që i fajësoi për një sërë veprash penale, mes të cilave “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, Bilbili e Kaloshi ishin pjesë e një grupi kriminal të formuar nga Laert Haxhiu, që po gjykohet i veçuar, me qëllim ekzekutimin e Xhulio Shkurtit, nipit të ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Shkurti nuk u lëndua në atentat, pasi vetëm pak çaste para se ndaj grupit të personave me të cilët po qëndronte të hapej zjarr, ai u fut në një dyqan aty pranë.
Vetëm një orë pasi i dha formë të prerë burgut përjetë për Bilbilin e Kaloshin, një treshe tjetër gjyqtarësh lanë të pandryshuar dënimin me burg përjetë për Festim Bexhdilin, i akuzuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jani Prengës 17 janarin e vitit 2020. Bexhdili ishte kopshtar në kompleksin “Golden” në Shijak, ku u filmua për herë të fundit trupi i pajetë i Jani Prengës. Sipas Shkallës së Parë, i pandehuri ka marrë pjesë direkt në zhdukjen e trupit dhe ka dijeni për vendin, ndonëse nuk e ka treguar atë. Bexhdili u fajësua për “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit”, me pasojë vdekjen, “fshehje ose asgjësim të kufomës” dhe “grup të strukturuar kriminal”. (A2 Televizion)