
Pamjet e shfaqura gjatë ditës së shtunë të mos respektimit të distancimit social në tregun e Kombinatit, që mund të kthehet në një rrezik potencial për përhapjen e koronavirusit, ka detyruar Bashkinë e Tiranës që të marrë masa drastike për të shmangur një përsëritje të kësaj situate.
Nga e hëna, qytetarët, por edhe shitësit në tregun e Kombinatit, duhet të zbatojnë rregullat e reja të vendosura nga Bashkia e Tiranës me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Me fillimin e javës së ardhshme lëvizja në këtë treg do jetë me një drejtim, tezgat nga njëra-tjetra do të duhet të kenë distancë dy metra dhe në hyrje do të vendoset edhe një tunel higjienor për dezinkfektimin e qytetarëve. Ambulantët do të zhvendosen te njësia administrative, që të përgjysmohet si treg.
“Ushtria nuk do të lejojë më makinat të futen në treg. Tek pjesa e banesave, ku fillon tregu dhe katet e para përdoren si dyqane, hyn në fuqi kalimi vetëm me një drejtim. Çdo hyrje tjetër do të mbyllet dhe do të funksinojë si Unazë”, deklaroi Veliaj.
Në secilin dyqan, punonjësit e Bashkisë do të vendosin sinjalistikë të baraslarguar nga njëri-tjetri me dy metra. Kush nuk do e respektojë, duke vendosur në rrezik jetën e të gjithëve, do të përballet me sanksione të forta.
Në të gjithë tregjet Bashkia e Tiranës vijon edhe me pastrimin dhe dezinfektimin. (A2 Televizion)