
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë, Tonin Vocaj, mbajti një konferencë për shtyp në lidhje me operacion policor të koduar “Skema”, ku u godit një aktivitet kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Operacioni është zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e SPAK-ut.
“Vihen në pranga 15 shtetas, procedohen penalisht 35 shtetas dhe shpallen në kërkim 23 shtetas të tjerë. Sekuestrohen qindra pajisje kompjuterike, pajisje telefonike, karta, USB dhe dokumente të ndryshme. Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të zbatimit të letërporosisë së ardhur nga organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe me partnerët e saj gjermanë, ka filluar hetimet në lidhje me një aktivitet kriminal në fushën e “Mashtrimit kompjuterik“ e cila kishte të bënte me platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash. Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se prej disa vitesh, një subjekt tregtar nën emërtimin “Blu energy call“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave së thirrjeve telefonike ose siç njhet në vendin tonë “call center“. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët gjermanë u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, tha Vocaj.
Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambiente në të cilat ushtrohej aktiviteti kriminal në fushën e krimeve kibernetike, u ndaluan 15 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, u proceduan në gjendje të lirë 35 shtetas dhe u shpallën në kërkim 21 shtetas të tjerë.
Gjithashtu, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës. (A2 Televizion)