
Hetimi i krimit që tronditi Tiranë është kthyer në pikën zero. Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj Viktor Markut, nipit të tij, Sebastian Mali dhe Adiola Lakrës, të tre të arrestuar pas ngjarjes, të dyshuar si të përfshirë direkt në vrasje. Çështja ndaj tyre u pushua me kërkesë të prokurorisë, e cila nuk mundi të sigurojë prova të mjaftueshme për t’i dërguar si të pandehur në gjykatë.
Prokuroria nuk i dha shpjegim as faktit të zbuluar gjatë hetimit, se para ekzekutimit të Hekuran Billës 8 punonjës policie kishin kërkuar në sistemin TIMS për emrin e tij. Hetimi nuk provoi që ndonjë prej tyre të kishte lidhje me ngjarjen.
Në vendimin e pushimit të çështjes, Gjykata shoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për të dyshuarit Marku e Mali, ndërsa Lakra ishte liruar më herët. Pas ngjarjes, policia dhe prokuroria ngritën dyshime se ngjarja kishte ndodhur për hakmarrje, pasi Hekuran Billa kishte vrarë në Angli në vitin 2006 Prel Markun. Në këtë mënyrë u prangos vëllai i tij Viktor Marku, i dyshuar si ekzekutor dhe nipi Sebastian Mali, i dyshuar si personi që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e viktimës. Ndërsa Adiola Lakra, u prangos pas dyshimeve se ishte përdorur si karrem për të nxjerrë në pritë Hekuran Billën.
Marku dhe Mali qëndruan nga 1 vit e 4 muaj në paraburgim, ndërsa Lakra 1 vit. Tashmë ekzekutimi mafioz i Billës shtohet në listën e ngjarjeve të pazabardhura, ndërsa trashëgimtarët e viktimës kanë të drejtën e ankimit për vendimin e pushimit të çështjes ndaj tre të dyshuarve.
(A2 Televizion)