
Mbahet sot në stadiumin Air Albania Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i cili është parashikuar të nisë në orën 10:00. Fillimisht do të bëhet konfirmimi i firmave të delegatëve të cilët thirrën kuvendin dhe do të jenë të pranishëm në Air Albania. Organizatorët kanë bërë një kartë dhe një bar code me të cilin synohet të verifikohet anëtarësia.
Belind Këllici, në një intervistë për A2 CNN, tregoi si do të behët verifikimi i firmave për të garantuar vlefshmërinë e vendimmarrjes.
“Në tribunën kryesore do të jetë një vend vetëm për delegatët. Konfirmimi që do kenë delegatët është si asnjëherë më parë. Do kenë “badge” me emrin dhe funksionin, do kenë një “bar code” të skanur në mandatin e tyre. Kur pjesëmarrësit futen në takim në një tabelë, në një monitor të madh në stadium do të dalë numri i pjesëmarrësve dhe ne do të kuptojmë nëse kemi kuorumin dhe nëse e kemi, atëherë kuvendi është legjitim për të patur vendimmarrje”, tha Këlliçi.
Qëllimi kryesor i kuvendit do të jetë ndryshimi i statutit të partisë duke përfshirë të gjitha elementet e përmendura nga Sali Berisha gjatë turit të foltoreve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e shkarkimit të Lulzim Bashës.
“Do të ketë rikthimin e referendumeve, rikthimi i primareve, nëse ditën e shtunë, unë jam i bindur që do të ndodhë, por nuk dua ta paragjykoj, do të ketë një kërkesë për shkarkimin e Bashes dhe kuvendi do të votojë pro”. (A2 Televizion)