Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, në “Intervistë me Merita Haklaj”

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2021, 22:17 | Politikë
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, në

A2 CNN- Merita Haklaj: Cili është fokusi i Britanisë së Madhe te java e integritetit, por dhe në tërësi në aktivitetin tuaj si ambasador i Britanisë së Madhe, në vendin tonë?

Ambasadori Alastair King-Smith: Mirëmbrëma e shumë faleminderit që më ftuat, Merita! Është fantastike që mund të mbështesim javën e integritetit. Siç e dini, për Mbretërinë e Bashkuar, parimet e demokracisë dhe të lirisë janë tepër të rëndësishme, dhe integriteti është zemra e demokracisë. Kemi mbështetur një sërë veprimtarish. Jo vetëm gjatë javës, por dhe në muajt e mëparshëm. Kemi parë një sërë fushash në lidhje me integritetin, si ndërtimi i integritetit në administratën publike, mënyra se si mbështesim financimin e zgjedhjeve, duke ndihmuar të rinjtë të angazhohen në politikë, por duke kuptuar parimet e integritetit. Ne e shohim si pjesë me rëndësi për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë lulëzimin e një demokracie për të ardhmen, dhe të mbështesim demokracinë parlamentare në muajt e vitet e ardhshme.

Merita Haklaj: Kam kuptuar që Mbretëria e Bashkuar po mbështet shumë median, lirinë e medias, që në ditët e sotme është problem i madh në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarisht për shkak të dezinformimit. Ju po mbështesni Masterin për Gazetarinë Investigative në degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Përse ky projekt?

Ambasadori: Liria e medias ka qenë temë e rëndësishme për qeverinë britanike. Para emërimit si ambasador këtu unë drejtoja fushatën tonë botërore për lirinë e medias. Për të parë se si mund të mbështesim në të gjithë botën median e lirë e të pavarur. Ky është aspekt me rëndësi. Jo vetëm sepse liria e medias është e rëndësishme më vete, por sepse është mënyrë thelbësore për të mundësuar çdo gjë tjetër, qoftë demokracinë, qoftë zhvillimin ekonomik, etj. Në Shqipëri, kemi dashur të mbështesim lirinë e medias dhe ndihma ndaj gazetarëve të rinj që të zhvillojnë aftësi të reja në gazetarinë investigative është tepër me rëndësi, por edhe të ndihmojmë median vendase. E dimë se gazetat e mediat vendase po përballen me sfida për modele të qëndrueshme për të ardhmen, etj. Kemi ndihmuar gazetarë në të gjithë Shqipërinë, sidomos mediat lokale, që të përmirësohen. Shpresojmë që duke bërë këtë të ketë të diplomuar nëpërmjet programit të Masterit që të ndihmojnë gazetarinë për të ardhmen. Kjo është pjesë e rëndësishme e ndihmës ndaj Shqipërisë në rrugën për të përmirësuar zhvillimin ekonomik e demokracinë.

Merita Haklaj: Në këta muaj të qëndrimit tuaj në Tiranë, sigurisht ju keni pasur edhe informacionet tuaja paraprakisht, por çfarë keni kuptuar ju konkretisht nga situata e medias?

Ambasadori: Mendoj se media këtu është duke lulëzuar. Por, ndonjëherë, disa nga çështjet që meritojnë vëmendje nuk po marrin vëmendjen e duhur. Ndonjëherë ka shumë çështje që duan vëmendje, ndonjëherë është çështje se cilës prej tyre po i jepet vëmendje. Ndonjëherë, mendoj se kontrolli i medias nga interesa biznesi ose politike, mund të bëjë që të mos marrim të gjitha lajmet kur nevojiten. Me këtë duam ta mbështesim median. Kjo ndihmë përbën zhvillim aftësish për gazetarinë investigative. Kam njohur gazetarë shumë të mirë dhe ka shumë potencial, ndaj duam të vazhdojmë ta nxitim. Por është e rëndësishme të kemi lajme të pavarura e të lira, prandaj është kënaqësi të jem sot këtu te A2 CNN me këtë intervistë me ju.

Merita Haklaj: Dhe ne e vlerësojmë shumë. Zoti ambasador, do të doja të përqendrohesha në një lajm të fundit, përcaktimi i Sir Stuart Peach, si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Gabriel Escobar dhe Bashkimit Europian me Miroslav Lajçak, ne kemi një të dërguar të posaçëm nga vendi juaj. Pse ky angazhim? Është rrjedhë normale e Brexit apo ka rënë pesha që duhet të ketë BE-ja, dhe vëmendja në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë edhe më e fortë nga vendet tjera, por dhe nga ju?

Ambasadori: Besoj se e dini që Ballkani Perëndimor ka pasur gjithnjë rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar. Si kur ishim në BE, edhe tani që nuk jemi më. Ky emërim është pjesë e angazhimit të përforcuar të Mbretërisë së Bashkuar në rajon. Shohim që ka çështje me rëndësi, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për katër të gjitha vendet këtu. Stabiliteti rajonal është thelbësor, natyrisht. Ka shumë forca që duan ta minojnë këtë stabilitet të rajonit dhe duam të sigurohemi që po e luajmë rolin tonë sa më fort për ta përforcuar. I shohim me shqetësim zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë se si dialogu Kosovë-Serbi s'po përparon aq sa ç'do të donim. Do të donim të kishim një rol sa më të fortë. Ky është roli i të dërguarit të posaçëm. Stuart Peach ka shumë përvojë. Ka qenë në Kosovë. Ka një histori të gjatë në krye të qeverisë e ushtrisë...

Merita Haklaj: Për shkak të bekgraundit të tij si ushtarak?

Ambasadori: Pikërisht, ka përvojë ushtarake, por në nivel të lartë vendimmarrës. Ka qenë pjesë e Këshillit të Sigurisë, si dhe mes krerëve të NATO-s. E ka vizituar rajonin, Shqipërinë. E pëlqen Shqipërinë dhe di që mezi pret ta vizitojë bashkë me vendet e tjera, së shpejti. Ky emërim është vetëm një pjesë e angazhimit tonë të përforcuar. Sekretari i Jashtëm është angazhuar personalisht në rajon. Kryeministri ka folur me kryeministrin tuaj. Ministrat e Jashtëm janë takuar së fundmi në Riga e Stokolm për takimet e NATO-s dhe të OSBE-së. Shpresoj të shohim rritje të angazhimeve në vitet e ardhshme.

Merita Haklaj: Dhe është e dukshme në fakt kjo vëmendje e shtuar gjatë vitit të fundit post-Brexit. Por nëse do të flasim për antikorrupsionin. Më 9 dhjetor kemi ditën e antikorrupsionit. Është një sfidë shumë e madhe për Shqipërinë. Bëjmë ligje të vazhdueshme, qeveria merr masa të vazhdueshme, por korrupsioni nuk zbehet. Zoti ambasador pse mendoni se ndodh kjo në vendin tonë. Ky nuk është vetëm problem i Shqipërisë, por ne flasim për vendin tonë, i cili nuk po përparon në këtë drejtim?

Ambasadori: Është pyetje e mirë dhe çështje e rëndësishme. Shqetësimi ynë është se korrupsioni ka krijuar lidhje me krimin e organizuar që tani është dukuri botërore. Fatkeqësisht, grupe ndërkombëtare të krimit po ndikojnë shumë çështje, por gjithashtu bëhen pjesë e korrupsionit dhe e nxitin atë. Sigurisht, në Shqipëri ka çështje specifike. Vetëm 30 vite kanë kaluar nga rënia e komunizmit dhe Shqipëria ka kaluar përmes një trajektoreje zhvillimi nga ana ekonomike dhe demokratike. Shohim që është pjesë e çështjeve të lidhura të demokratizimit dhe të sigurisë, dhe vetëm po të luftojmë krimin e korrupsionin duke bashkëpunuar ngushtë, dhe me partnerët ndërkombëtarë që e mbështesin Shqipërinë, mund t'ia dalim. Por duhet luftuar në shumë nivele. Së pari, demokracia është thelbësore. Demokracia parlamentare dhe institucionet e forta. Së dyti, rendi ligjor, shteti i së drejtës, si dhe institucionet e tjera të llogaridhënies. Qoftë për lirinë e medias, qoftë për forcimin e shoqërisë. I shohim të gjitha si pjesë të lidhura me llogaridhënien. Sigurisht, institucionet e forta do të kenë sukses vetëm nëse ka praktika biznesi e rregullore të mira, për sa i përket ekonomisë. Këtë e kemi diskutuar me qeverinë në Shqipëri se si mund të punojmë jo vetëm për krimin e korrupsionin në politikë, por edhe në ekonomi, që zhvillimi ekonomik i Shqipërisë të jetë i drejtë. Por do të jetë aq i fortë sa do të duam ne të jetë vetëm nëse këto çështje luftohen siç duhen.

Merita Haklaj: Ndërsa jemi tek ekonomia. Po shihja disa shifra...nuk e di se sa jeni i ambientuar me lekun... por lidhur me shkëmbimet tregtare, importet me Britaninë e madhe janë 5.3 miliardë lekë në dhjetë muajt e fundit, ndërsa eksportet 0.7 miliardë lekë. Çfarë janë këto shifra?

Ambasadori: Është pyetje shumë e mirë. Kur erdha këtu si ambasador u trondita se sa e ulët kishte qenë tregtia dhe investimet në vitet e fundit. Por kjo po ndryshon. Ministrja jonë për Europën, Uendi Morton MP, erdhi në tetor dhe bashkë me drejtorin rajonal për tregti dhe investime diskutuam me qeverinë se si mund të shtojmë në vitin e ardhshëm tregtinë dhe investimet me Mbretërinë e Bashkuar. Kur u ktheva muajin e shkuar në Mbretërinë e Bashkuar isha në një organizim për promovimin e biznesit. Ka shumë interes në Shqipëri, sepse ka një trajektore shumë të mirë ekonomike.

Merita Haklaj: Por çfarë i pengon ata të vijnë në Shqipëri?

Ambasadori: Është jetike t'u garantohet njerëzve që është e mundur të investohet. Kemi investime të mëdha nga Britania, si “Vodafone”, kemi kompani të tjera të mëdha britanike që angazhohen, dhe duam të shohim më shumë. S'janë vetëm kompanitë e mëdha. Ka sipërmarrje të vogla e të mesme, ndaj po shohim se si të përmirësojmë edhe klimën e biznesit këtu, por edhe të nxitim kompani në Mbretërinë e Bashkuar që ta shohin Shqipërinë si mundësi. Dhe mendoj se ka mundësi të mira, sepse Shqipëria është duke zhvilluar ekonominë. Por mënyra më e mirë, siç diskutuam te bisedimet për klimën në Glasgou, është që të kemi një ekonomi të gjelbër e të qëndrueshme. Po të përpiqemi që tani, ekonomia e Shqipërisë do të ketë ecuri pozitive.

Merita Haklaj: Cilat mendoni ju se janë problemet kryesore. P.sh kur flasin dhomat e tregtisë, si amerikane, gjermane apo e Britanisë, çështjen e pronësisë e kanë problem, çështjen se si i zgjidhin në gjykatë problematika të caktuara, e kanë problem të madh. Janë këto dy probleme kryesore që i trembin investitorët. Duke parë këtë situatë, si mendoni ju se mund t'i joshni investitorët e vendit tuaj të vijnë këtu?

Ambasadori: Janë pyetje shumë të rëndësishme. Mendimi im është se ka mundësi shumë të mira, por këto mundësi do ta tërheqin më lehtë investuesin që do Shqipëria po të adresohen çështjet e tjera. Çështjet për tokën, pronësinë. Çështje në lidhje me lehtësinë e të bërit biznes. Çështjet me rregulloret tregtare. Mendoj se qeveria po u adresohet. Në teknologji e inovacion, p. sh, një fushë në të cilën Britani po pozicionohet tani si një superfuqi në teknologji e shkencë. Duam të bashkëpunojmë me Shqipërinë e të shohim si t'i vëmë në lëvizje gjërat. Siç e dini, qeveria po merret tani me propozime në parlament për të krijuar një mjedis tërheqës për kompanitë e investimet teknologjike. Kemi bërë shkëmbime "start-up" midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe duam ta përmirësojmë. Nuk mjafton vetëm të nxitim kompani, por duhet të sigurohemi që kompanitë në Britani janë më në dijeni të mundësive në Shqipëri. Duam të sigurohemi dhe që personat e kualifikuar në Shqipëri të përfitojnë nga këto mundësi. Një nga gjërat më të mira është se keni të rinj fantastikë, por nëse u japim mundësi e aftësi, Këshilli Britanik ka "Programin e Aftësive të Shkollave të Shek. 21." Punojmë me shkolla për të krijuar mundësi për programim dhe kuptime të ndryshme të teknologjisë. Nëse u jepen 11-15-vjeçarëve aftësi të tilla programimi kur të shkojnë në universitet dhe të futen në tregun e punës do të kenë më shumë mundësi të nxitin revolucionin teknologjik dhe zhvillimin ekonomik që nevojitet. E shohim me rëndësi shtimin e aftësive të të rinjve, të sigurohemi që bizneset kanë mjedis pozitiv për të investuar dhe të sigurohemi që këto mundësi të vihen në dukje.

Merita Haklaj: A do të keni projekte të reja për edukimin, meqë folëm për të rinjtë?

Ambasadori: Universitetet janë thelbësore. Përmendët programin për Master në Gazetari Investigative. Kemi programe bursash “Chevening” dhe programe për Master në Mbretërinë e Bashkuar. Duam që njerëzit të shijojnë vizitën në Mbretërinë e Bashkuar e të mësojnë aftësi të reja, por edhe që të kthehen. Thelbësore për programin “Chevening” është që të ndihmojmë njerëzit të jenë udhëheqës të ardhshëm në fushën e tyre. Po pres me padurim të shoh nxënësit që zgjodhëm sivjet. Një grup është nisur në Mbretërinë e Bashkuar dhe po studiojnë atje tani. Po shohim mënyra të tjera për të zgjeruar këmbimet universitare. Të mbështesim universitetet që të kenë partneritete midis universiteteve shqiptare e britanike. Nëpërmjet “Programit të aftësive për Shkolla të shekullit XXI” me Këshillin Britanik, duam të mbështetim shkollat që të kenë aftësitë e duhura.

Merita Haklaj: Sa problem është bërë emigracioni, emigrantët shqiptarë për vendin tuaj. Rinia është ajo që nuk ka shpresë dhe ka shumë qytetarë shqiptarë që zgjedhin të largohen nga vendi për një jetë më të mirë në perëndim, por le të themi veriu i Shqipërisë është veçanërisht i atashuar me Britaninë e Madhe, me Londrën. Si e shihni këtë situatë. Kemi mungesën e shpresës nga njëra anë dhe mosedukimin që mund të çojë në një kontingjent, që e kemi parë që bëhet edhe kriminal, në anën tjetër, kur do që të fitojë shpejt.

Ambasadori: Keni prekur një element kyç. Është e trishtë që shumë njerëz nuk shohin shpresë që të kenë sukses në Shqipëri, dhe mendojnë se do të jetë më mirë tjetërkund. Ndonjëherë, dikush mund të zhvillojë aftësi dhe mundësi të mira dhe përvoja pune, por shpresoj që të rinjtë kur të shohin më shumë mundësi në Shqipëri Në fakt, kur flas me disa prej tyre, janë vërtet duke e ndjekur atë trend e duan të investojnë në Shqipëri. Pra, nuk janë vetëm në atë drejtim. Por është e rëndësishme të krijojmë mundësi që njerëzit të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe i nxis të gjithë të përdorin mënyrat ligjore të udhëtimit. Kemi një skemë botërore për tërheqjen e talenteve në teknologji për kërkime dhe arte. Duam të sigurohemi që ata që munden të studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ta realizojnë. Shpresojmë që më pas edhe të kthehen. Ka një mundësi në atë drejtim, por duhen krijuar mundësi ekonomike në këtë vend e të lidhen me zhvillimin e aftësive. Së treti, përmendët çështjet me krimin. Jemi shumë të shqetësuar për trafikun njerëzor. Për shtimin e personave që kalojnë në mënyrë të paligjshme. Njerëz që futen në borxhe të mëdha që paguhen vetëm nëpërmjet krimit.

Merita Haklaj: A ka rritje vitet e fundit ambasador?

Ambasadori:  Numri i shkelësve të ligjit të huaj në burg, që është tregues i vogël është rreth 1500 në Britani e Uells. Është më shumë se vitin e shkuar. Jemi të shqetësuar për shtimin e dukurisë. S'duam të shohim njerëz të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme. Të rrezikojnë jetën e të kapen në krim. Por janë vetëm një pjesë e vogël e atyre që janë në Britani nga Shqipëria, pasi pjesa më e madhe, dhe kam folur me diasporën kryejnë veprimtari ekonomike shumë frytdhënëse duke mbështetur Britaninë. Kemi diskutuar si të bashkëpunojmë që të ulet joshja për të udhëtuar në mënyrë të paligjshme e të përfshihesh në punë të jashtëligjshme, duke krijuar një cikël negativ njerëzish që arrestohen e që riatdhesohen.

Merita Haklaj: A ka momente ligjore që duhet të zgjidhim mes dy vendeve që ky bashkëpunim për të luftuar kriminalitetin mund të jetë më i frytshëm, më produktiv? 

Ambasadori: Sapo jam kthyer nga Britania. Kam shoqëruar Ministrin e Brendshëm, zotin Çuçi dhe Sekretarin e Brendshëm, të cilët kanë pasur diskutime të nivelit të lartë për bashkëpunimin e dy qeverive në këtë fushë. Krimi i organizuar, siç përmenda, është dukuri botërore. Ka kriminalitet nga Amerika e Jugut deri në portet europiane, në Mbretërinë e Bashkuar, që kanë dhe lidhje me Shqipërinë. Duhet të bashkëpunojmë për këtë. Nuk ka mundësi tjetër. Duhet të kemi një qasje më të fortë parandaluese. Dy qeveritë kanë rënë dakord të investojmë për të parandaluar krimin dhe emigrimin e paligjshëm. Por dhe të investojmë për ta luftuar krimin bashkë. Këto grupe shfrytëzojnë të rinj në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë shumë negative, me një ndikim të tmerrshëm mbi ta, por dhe mbi familjet e tyre. Po ashtu, vjedhin burimet e vendit. Duhet të bëjmë vërtet gjithçka për ta luftuar këtë. Është kënaqësi që qeveritë tona janë të angazhuara për këtë. Kryeministrat janë të angazhuar. Do të bëjmë gjithçka që mundemi.

Merita Haklaj: Zoti ambasador ju jeni në dijeni të Reformës shqiptare më Drejtësi. Ne kemi bërë një transformim rrënjësor të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse për ta çrrënjosur korrupsionin nga sistemi gjyqësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të forta edhe të partnerëve tanë, SHBA-ja dhe BE-ja, janë bërë vite tashmë, por nuk po jepet produktiviteti i pritur nga këto institucione të reja në kuadër të reformës në drejtësi. Ju keni pasur kontakte me drejtuesit e këtyre organeve, me përfaqësues të partive politike, me qeverinë me kolegët tuaj ambasadorë. Pse besoni se e kemi kaq të vështirë?

Ambasadori: Jemi mbështetës të mëdhenj të rendit ligjor, sundimit të ligjit e drejtësisë në vend. I kemi mbështetur me vite e do të vazhdojmë ta bëjmë. Reformat e ndërmarra janë me rëndësi, por kanë qenë dhe sfida, siç thoni. Për popullin besoj se ka qenë e vështirë që ndërsa janë marrë kaq reforma s'ka pasur shumë përparim me adresimin e çështjeve individuale nëpër gjykata, por tani ka ndodhur një reformë e gjykatave, po i shohim të përpiqen të zgjidhin çështjet e prapambetura, dhe Mbretëria e Bashkuar ka qenë shumë e gatshme të ndihmojë. Do të nisim një program të ri për rendin ligjor, shtetin e së drejtës që shpresojmë të mbështesë e të përforcojë atë që kanë bërë partnerët e tjerë, dhe kam diskutuar me krerët e institucioneve se ku mund të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është diçka që Shqipëria duhet ta vazhdojë me ngulm. Nëse arrihet një rend ligjor i saktë shteti i së drejtës, përforcohet dhe demokratizimi që ka nisur Shqipëria, por edhe zhvillimi ekonomik dhe i biznesit që e duan të gjithë.

Merita Haklaj: Ju mbështesni... edhe pse keni dalë jashtë BE-së... e mbështesni shumë integrimin e Shqipërisë në BE, sikundër të të gjitha vendeve të BE-së. A besoni se BE-ja nuk është në ritmin e duhur me vende tona, në krahasim me të shkuarën? Duket sikur ka një lodhje nga zgjerimi, e kemi quajtur, por ka ndoshta dhe një rënie të shpresës në vendet tona se do të integrohen në BE. 

Ambasadori: E kuptoj shqetësimin dhe Mbretëria e Bashkuar ka qenë mbështetëse e madhe e zgjerimit dhe të futjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Mbetemi mbështetës të mëdhenj. Aspiratat e popullit janë të qarta. Shumica e shqiptarëve, por dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbështesin integrimin në BE, si pjesë e një zhvillimi më të gjerë euro-atlantik. Mbetemi mbështetës të fortë, dhe pse s'jemi më në BE, por dhe në vendimet në lidhje me ecurinë e procesit, mbetemi mbështetës të fortë dhe bëjmë sa është e mundur që të mbështesim reformat dhe zhvillimin që nevojitet për ta mundësuar këtë, dhe do të vazhdojmë të përdorim zërin edhe me partnerët europianë, që ta nxitim atë ecuri. Mendojmë se është me rëndësi dhe shohim se Shqipëria e Ballkani kanë një të ardhme të shkëlqyer në Europë.

Merita Haklaj: Përtej qëndrimit pozitiv të Komisionit Europian, nuk kemi arritur t'u tregojmë vendeve anëtare që ne shkojmë deri në nivelin e lartë të dënimit të zyrtarëve të lartë, një kërkese e vazhdueshme për Shqipërinë dhe për vendet aspirante, por as reforma në drejtësi nuk ka arritur të tregojë këtë produktivitet në ndëshkimin e zyrtarëve të lartë...qëllimi i saj ky ishte.

Ambasadori: Vendimet në lidhje me BE-në janë për anëtarët e BE-së, natyrisht. Por kreu i KE-së pohoi dëshirën e tyre për ta parë Shqipërinë t'i bashkohet BE-së, dhe nga pikëpamja jonë, e nxitim Shqipërinë e qeverinë e saj që të vazhdojë hapat e nevojshme, disa prej të cilave të vështira. Por po të shohësh vendet e tjera që i janë bashkuar BE-së përparimin që kanë arritur ekonomikisht e politikisht është e qartë që Shqipëria e vendet e tjera të Ballkanit po të arrijnë t'i kryejnë reformat, kurdo që të merret vendimi për t'iu bashkuar BE-së ato do të jenë hapa pozitive për të ardhmen e vendit e popullin. Nga pikëpamja e Mbretërisë së Bashkuar, sepse do të mbajmë standarde të ngjashme, do të duam ta shohim Shqipërinë si një partner të fortë me të cilën mund të bashkëpunojmë, qoftë brenda dhe jashtë BE-së.

Merita Haklaj: Në vitin 2019 dhe vitin 2020, patëm një krizë të fortë politike. Opozita dogji mandatet dhe u largua nga Parlamenti dhe ishte një përpjekje pothuajse njëvjeçare se si palët mund të angazhoheshin, pasi do të shkonim drejt zgjedhjeve të tjera, zgjedhjeve parlamentare. Kujtojmë që ishte ambasadori, paraardhësi juaj, ambasadori Duncan Norman që i uli palët, arriti ai që të ndërmjetësonte në një mënyrë të tillë, ndoshta dhe të heshtur - që arriti t'i ulte PS, PD dhe LSI në një tryezë, atë që e quajtëm Këshilli Politik, për të realizuar më pas, pas marrëveshjes së 14 janarit, me 5 qershor reformën zgjedhore me ndryshime të rëndësishme që përfshinë opozitën për të hyrë në garën elektorale. Cila do të jetë qasja juaj si ambasador në krizat politike, që ne i kemi të vazhdueshme në fakt?

Ambasadori: Shpresojmë të mos kemi një krizë serioze politike në të ardhmen, sepse një nga gjërat më të mira që u arrit ka qenë rikthimi i parlamentit me të gjitha partitë brenda parlamentit, që kanë punuar për demokraci efektive parlamentare. S'është e lehtë të kesh demokraci parlamentare. Duhet kohë dhe përpjekje. Duhet kohë që njerëzit të gjejnë kompromiset e nevojshme për të rënë dakord se si të kalojnë ligjet e nevojshme. Kemi çështje me rëndësi për mbarëvajtjen e reformës zgjedhore. Se si mund të përparohet me të tjera ligje. Duhet ta nxitim demokracinë parlamentare si parimin kryesor të zhvillimit. S'duam t'i shohim partitë sërish në rrugë duke përdorur mënyra jashtëparlamentare për të përparuar me qëllimet politike. Mendojmë se është me rëndësi të përqendrohemi te proceset politike dhe të shmanget dhuna e konflikti, si dhe të gjenden zgjidhjet e mundshme me dialog. Është thelbësore, shumë me rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë. Po të përparojë demokracia parlamentare, Shqipëria ka të ardhme të shkëlqyer. Një nga gjërat që do të bëjmë, veç të tjerave që kemi bërë dhe që do të vazhdojmë, është mbështetja e zgjedhjeve dhe aspekteve të demokratizimit, duke mbështetur parlamentin dhe demokracinë parlamentare. Mendojmë se është e rëndësishme, diçka që tani i ka mundësitë për t'u riafirmuar.

Merita Haklaj: Ju keni takuar edhe liderët e partive, por edhe përfaqësues të niveleve më të ulëta se lidershipi në këto parti apo jo. Çfarë kuptoni nga këto takime?

Ambasadori: Krerët e partive duhet të gjejnë marrëveshje vetë se si të përparojnë me demokracinë parlamentare. Nuk mund ta thotë Mbretëria e Bashkuar se ç'mënyrë duhet të zgjedhë çdo parti politike. Por ne i nxisim që të respektojnë parimet e demokracisë dhe të përqendrohen te demokracia parlamentare.

Merita Haklaj: Nëse do të ndalojmë pak te mekanizmi amerikan i presidentit Biden... shpallja non grata, publikisht i politikanëve të caktuar. Sekretarët e shtetit kanë shpallur disa zyrtarë shqiptarë qoftë nga politika, por dhe ish-prokurorin e përgjithshëm. Por akti i fundit i sekretarit Antoni Blinken, që shpalli non-grata, përcaktoi publikisht liderin historik të PD, Sali Berishën, shkaktoi krizë në forcën kryesore të opozitës, duke i siguruar edhe një lloj komoditeti kryeministrit që fitoi mandatin e tretë të qeverisë lehtësisht. Si e shihni krizën brenda PD, ju mund të doni të mos përfshiheni, por si e komentoni këtë betejë për lidership?

Ambasadori: Për Mbretërinë e Bashkuar, parimet e lirisë dhe të demokracisë të drejtësisë dhe llogaridhënies janë thelbësore. Llogaridhënia është tepër e rëndësishme. Do të donim ta shihnim në çdo vend dhe në Shqipëri duam të shohim gjykatat dhe proceset e llogaridhënies në parlament, gjithashtu, të sjellin para përgjegjësisë ata që duhet të japin llogari. Çështje e korrupsionit dhe përfshirja në krim duhet t'u nënshtrohen proceseve gjyqësore, si dhe gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë, duke siguruar që ata që kanë lidhje me korrupsionin të mos udhëtojnë lirshëm apo të fshehin pronat diku tjetër.

Merita Haklaj: A e ka Mbretëria e Bashkuar një mekanizëm të tillë?

Ambasadori: Është diçka që po e sheh dhe Mbretëria e Bashkuar. Kemi ndërmarrë së fundmi sanksione botërore kundër korrupsionit, si dhe sanksione botërore për të drejtat e njeriut. Janë çështje që do t'i shohim gjithashtu. Do të shohim se si të sigurohemi që do të ketë llogaridhënie por llogaridhënia kombëtare është shpesh më e fortë se ajo ndërkombëtare, që duhet të jetë një mekanizëm përforcues. Mendojmë se parimet e llogaridhënies, qofshin kombëtare apo ndërkombëtare, janë shumë të rëndësishme, pjesë e mundësimit të një demokracie funksionale, të çliruar nga krimi, të çliruar nga korrupsioni.

Merita Haklaj: Pra po më thoni se, supozojmë,  në rast se Britania e Madhe ndërmerr një sanksion të tillë ndaj një zyrtari të caktuar, ndoshta duhet ta ballafaqojë në parim edhe me situatën se si ai duhet të japë llogari edhe tek institucionet shqiptare, që të mos mbetet si akt i veçuar ndërkombëtar, por të procedohet edhe brenda vendit.

Ambasadori: S'do të spekuloj për specifika në të ardhmen. Por parimet janë të qarta. Do ta mbështesim demokracinë, llogaridhënien, do të mbështesim institucionet e rendit ligjor, ato parlamentare, institucionet mediatike për gazetari investigative, që të ketë llogaridhënie, si dhe do të përdorim sanksionet ndërkombëtare kur të nevojiten.

Merita Haklaj: Zoti ambasador, duke qëndruar pak te politika, tek ajo që ju pyeta edhe pak më parë, mbi situatën në PD. Ju si diplomat a e shihni me shqetësim këtë që po ndodh në forcën kryesore në opozitë?

Ambasadori: I shohim me shqetësim zhvillimet politike në Shqipëri. Sigurisht, duam të shohim institucione të qëndrueshme dhe politikë të qëndrueshme për të ardhmen. Mendojmë se rikthimi i demokracisë parlamentare ka qenë një zhvillim pozitiv për të ardhmen e Shqipërisë. Duam të shohim që parlamenti të vazhdojë funksionalitetin dhe partitë të bashkëpunojnë brenda parlamentit.

Merita Haklaj: Asnjë gjë për Sali Berishën, po Lulzim Bashën specifikisht? Kanë thirrur dy forume të larta një më 11 dhjetor e një më 18 dhjetor.  

Ambasadori: S'do të befasoheni që s'do të komentoj zhvillimet politike brenda Shqipërisë. U takon popullit e politikanëve shqiptarë që t'i zgjidhin. Mesazhi ynë është i qartë. Duam të shohim një demokraci funksionale parlamentare dhe njerëzit të bashkëpunojnë në parlament dhe të shmangin dhunën e konfliktet.

Merita Haklaj: Po për kryeministrin Rama cili do të ishte mesazhi juaj, zoti ambasador?

Ambasadori: Kemi bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin dhe me anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar. Kemi një marrëdhënie të gjerë. S'do të jap mesazhe ndaj kryeministrit apo udhëheqësve të tjerë politikë në media, druaj se jo, por është kënaqësi që jam mirëpritur kudo në Shqipëri. Sapo u bënë tri muaj këtu. Një nga gjërat që më ka pëlqyer më shumë, ka qenë mikpritja. Jam shumë mirënjohës, si nga politika, dhe nga publiku.

Merita Haklaj: Pra, mos të flasim për politikanët, por le të flasim për shqiptarët. Si ju janë dukur ata?

Ambasadori: Për shqiptarët kam urimet më të mira. Shoh një të ardhme të shkëlqyer për Shqipërinë. Nevojiten investime në politikë, në demokraci, në ekonomi. U uroj të gjithëve sukses, dhe teksa shohim fundin e vitit 2021, me ardhjen e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, u uroj të gjithëve Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, dhe një të ardhme të shkëlqyer, një 2022 të mbarë.

Merita Haklaj: Nuk dua ta mbaroj dhe për pak minuta intervistën sepse doja të kthehesha tek një ndër daljet tuaja të para në ceremoninë e premierës së filmit të ri me James Bond. Përveç origjinës së agjentit britanik sekret 007, kishte një simbolikë tjetër prania juaj në atë ceremoni që u përcoll me jo pak debate në fakt.

Ambasadori: Më vjen mirë që e përmendët, sepse një nga gjërat që Mbretëria e Bashkuar ka shumë dëshirë të vazhdojë është të zhvillojë pushtetin e butë shkëmbimet kulturore. Kemi pasur mundësi të shkëlqyera dhe për vitin e ardhshëm, sepse 2022 është 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. S'jam i sigurt nëse do të ketë filma të shkëlqyer si James Bond, të shohim. Të shohim ç'do të ketë programi. Por do të shohim se si t'i zgjerojmë lidhjet kulturore midis Shqipërisë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe se si mund të shtojmë vëmendjen e njerëzve ndaj Shqipërisë dhe t'i nxitim njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar për mundësitë që të vizitojnë e të krijojnë shkëmbime kulturore, dhe do të shohim se ç'mund të bëjmë së bashku. I pres me padurim mundësitë, qoftë nëpërmjet filmave, muzikës, sportit, dhe me Tiranën që do të jetë kryeqyteti i rinisë vitin tjetër, do të jetë një mënyrë e bukur për t'i lidhur të rinjtë.

Merita Haklaj: E shoh që jeni shumë i përqendruar te rinia dhe mënyra se si mund të zhvillohet shkëmbimi i edukimit dhe kulturës mes dy vendeve. Ju e njihni mirë shqipen, ndaj dhe pyetjet e mia po bëhen shqip dhe ju komunikoni shumë qartë. Si e mësuat shqipen?

Ambasadori: Kur emërohemi si ambasadorë, përpiqemi të mësojmë gjuhën e vendit. Shqipja është e vështirë, me një prej gramatikave më të ndërlikuara në botë. Ishte kënaqësi ta mësoja, por dhe e vështirë. Mu desh një vit përgatitjesh në Londër, kryesisht, por edhe disa javë në Shkodër. Ishte kënaqësi ta mësoje gjuhën. Shpresoj që intervistat në të ardhmen t'i bëjmë në shqip. Por duhet të vazhdoj të mësoj që të arrij në atë nivel. Por ka qenë kënaqësi. Do të thotë që do të kem më shumë bashkëveprim në të gjithë vendin, diçka që ia këshilloj kujtdo. Kurdo që vizitoni një vend, mësoni gjuhën sepse s'të jepet mundësia të flasësh me njerëzit në mënyrë më të zgjeruar, por edhe që të kuptosh kulturën. Ka qenë kënaqësi e madhe për mua. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos