
Ish Deputeti socialist Alqi Bllako la sallën e gjykatës me pranga në duar pas verifikimit të masës së sigurisë arrest me burg.
Avokati Sokol Hazizaj e konsideroi vendimin e Gjykatës së Posaçëm të padrejtë, pasi siç tha ai ish-deputeti, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, nuk ka prodhuar akte, por vetëm ka kaluar dokumentacionet për këshillin e ministrave.
Për arrestimin e Bllakos u raportua dy ditë me parë ndërsa Policia e Shtetit edhe pse duhej ta kishte në mbikëqyrje nuk e gjeti ish-deputetin pasi mori urdhrin për ekzekutimin e vendimit të masës së arrestit.
Deri në orën 23 të datës 31 mars ish deputeti socialist nuk u paraqit në ambientet e policisë ndërsa një ditë më pas më 1 prill policia e shtetit nëpërmjet një njoftimi për shtyp tha se Bllako ishte vetëdorëzuar në mbrëmje dhe ndodhej në ambientet e policisë së Tiranës. Nuk vonoi shumë dhe një tjetër njoftim për mediat, Prokuroria e Posaçme hodhi poshtë pretendimet e policisë se Bllako ndodhej që prej mbrëmjes në ambientet e policisë duke saktësuar se urdhri I dhënë policisë një ditë më parë ishte ekzekutuar në orën 3:30 minuta të mëngjesit të 1 prillit.
Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre ndërsa sipas SPAK, dyshohet se ka firmosur dokumente që ndryshonin destinacionin nga tokë arë në truall mbi të cilën do të ndërtohej incinerator I fierit. Kjo shkelje sipas prokurorisë është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi. (A2 Televizion)