
Persona të infektuar dhe që lëvizin lirshëm në qytet dhe madje frekuentojnë edhe punën, të rinj që qëndrojnë në lokale përtej orës policore në mbrëmje dhe ndërgjegjësim i ulët i zbatimit të masave anti-Covid, ishin problematikat e ngritura nga Task Forca e qarkut të Kukësit që menaxhon pandeminë e koronavirusit.
Përballë kësaj situate, drejtori i Policisë së qarkut të Kukësit, u shpreh se policia nuk mund ta përballojë e vetme situatën, ndërsa ka kërkuar listën e personave që rezultojnë pozitivë për të verifikuar izolimin e tyre.
Prefekti i qarkut Zenel Kuçana kërkoi shkundje të institucioneve për përmirësimin e situatës së krijuar nga shtimi i ndjeshëm i numrit të personave të infektuar me Covid.
Qarku i Kukësit, prej më shumë se një muaj është rikthyer në hartën e Covid-19 me shifra të larta infektimeve edhe pse procesi i vaksinimit po ecën me ritme të kënaqshme, ku rezultojnë të vaksinuar rreth 28 mijë persona në rang qarku. (A2 Televizion)