
Russell Westbrook është nga sot lojtari me më shumë “triple-doble” në historinë e NBA. Organizatori i Washington Wizards theu rekordin që mbahej nga Oscar Robertson (181), që nga viti i largët 1974.
Westbrook ka vite që e ndjek këtë rekord dhe me 28 pikë, 13 topa në tabelë dhe 21 asist kundër Atlanta Hawks, ai u shndërrua në lojtarin me më shumë ndeshje, plot 182, ku ka regjistruar statistika dyshifrore në 3 aspekte të ndryshme të lojës (pikë, topa në tabelë dhe asist).
Një rekord i tillë mendohej i pathyeshëm mes specialistëve të basketbollit.
Pas rekordit, Westbrook u shpreh: “Kam punuar shumë dhe kam shpenzuar shumë kohë për basketbollin. Nuk e kisha ëndërruar kurrë një arritje të tillë. Zakonisht nuk mburrem me atë që bëj, por mendoj se sot ka ardhur dita që ta bëj këtë gjë”.