
Patinatorja ruse, Kamila Valieva që shkaktoi një debat shumë të ashpër gjatë Lojërave Olimpike dimërore nëse kishte përdorur doping apo jo, nuk arriti të ngjitet në podium në finalen e patinazhit artistik, duke u renditur vetëm në vendin e katërt me 224 pikë.
Valieva bëri disa gabime gjatë rutinës së saj dhe madje u rrëzua në akull në disa raste duke humbur kështu shansin për t’u renditur përpara bashkëkombëses së saj, Anna Shcherbakova
15 vjeçarja u largua me lot në sy nga pista e akullt, por mori të gjithë duartrokitjet e publikut të pranishëm.
Komiteti Olimpik kishte thënë më herët se nuk do të mbahej asnjë ceremoni medaljeje apo lulesh për fituesit nëse Valieva përfundonte në treshen e parë.
Kamila Valieva, e cilësuar si më e mira në historinë e këtij sporti, protagoniste në medaljen e artë të Rusisë në garimin ekipor rezultoi pozitive me trimetazidinë. Bëhet fjalë për një substancë që shërben për të kuruar problemet në zemër dhe që prej vitit 2015 është përfshirë në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut. (A2 Televizion)