Para se të bëheshin partnerë në vitin 2011, Madison Hubbell dhe Zachary Donohue ishin rivalë të fortë në patinazh dhe nuk e pëlqenin aspak njëri-tjetrin.
"Në fakt asnjëri nga ne të dy nuk ishte i lumtur që do të na duhej të patinonim së bashku, për të mos thënë që nuk na pëlqente fare ideja”, tregon për "Washington Post" 31-vjeçari Donohue.
Hubbell pranon se fillimisht mendonte se partneri i saj në patinazh ishte një budalla i madh dhe kokëfortë, por me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan dhe vija e hollë mes urrejtjes dhe dashurisë, u kalua pa u kuptuar.
Të gjitha zënkat filluan të kthehen në një ndjenjë më të thellë dhe më emocionale, që u pasua nga një lidhje dashurie për thuajse tri vite.
Si ndikoi lidhja e dashurisë mes dy patinatorëve?
Edhe pse kimia mes tyre ishte shumë e fortë në pistën e akullit, në jetën dashurore, Madison dhe Zachary grindeshin shumë, aq sa e gjithë marrëdhënia u kthye në një rrezik edhe për karrierën e tyre. Pas dy viteve e gjysmë, ata morën vendimin për t’u ndarë, por ndryshe nga sa pritej, ata nuk e ndërprenë marrëdhënien e tyre profesionale, duke qëndruar krah për krah për një dekadë të plotë.
Tashmë prej disa vitesh, Hubbell dhe Donohue janë në marrëdhënie me njerëz të tjerë, por kjo nuk i ka penguar që të vazhdojnë të jenë partnerë të shkëlqyer në patinazh.
U ndanë, por fituan dy medalje olimpike
Historia e Madison dhe Zachary ka tërhequr jo pak vëmendje, ndërsa kimia që kanë në pistë, është konsideruar e jashtëzakonshme jo vetëm nga audienca, por edhe nga juritë dhe mediat.
Falë punës së palodhur dhe talentit të rrallë, patinatorët olimpikë i kanë dhuruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dy medalje olimpike, një medalje argjendi dhe një medalje bronzi të rrëmbyer në olimpiadën Dimërore, Pekin 2022, duke korrur kështu një sukses me peshë të madhe.
Nga urrejtja, dashuria, ndarja dhe fitoret, duket se ky çift partnerësh i ka kaluar të gjitha, por pavarësisht ulje-ngritjeve, ata janë akoma bashkë, si dy profesionistë të vërtetë. (A2 Televizion)