Mbyllja e tretë e qeverisë për Trump, por rekordin e mban Bill Clinton

Nga A2 CNN
4 Janar 2019, 17:16 | Bota

13 ditë me qeveri të mbyllur dhe pasojat në SHBA janë të dukshme. Përplasja mes ligjvënësve dhe presidentin Donald Trump, për paratë për murin me Meksikën, ka lënë pa punë dhe pa rrogë, më shumë se 800 mijë punonjësit e administratës publike.

Efekti i saj, po ndihet tashmë. Prej rreth dy javësh, pjesa më e madhe e punonjësve nuk punojnë ndërsa pjesa tjetër, punojnë por pa pagesë. Muzetë, kopshtet zoologjike apo galeritë kombëtare qëndrojnë ende të mbyllura.

Turistët e huaj janë të zhgënjyer teksa vizitojnë kryeqytetin. “Unë vij nga Alabama, erdha këtu dhe nuk po shoh asgjë”, thotë një turiste. Edhe punonjësit e NASA-s janë pushim, vetëm disa prej tyre kanë zgjedhur të jenë në detyrë, ndonëse nuk paguhen. Parqet kombëtare po punojnë me staf të reduktuar dhe askush në këto javë nuk ka menduar për pastrimin e tyre apo mbledhjen e plehrave.

Prej dy javësh, edhe pse tashmë në një vit të ri, Departamenti i Tregtisë nuk ka publikuar asnjë të dhënë zyrtare për vitin e shkuar. Drejtoria e tatimeve është mbyllur gjithashtu. Por bashkë me administratën publike, pushim janë edhe agjentët e patrullimit të kufirit. Edhe ata që punojnë nuk paguhen për orët e punës.

Si rrallëherë, edhe autostradat janë të mbyllura, ose në rastin më të mirë, pa mirëmbajtje. Kjo mbyllje e qeverisë, e treta në radhë përgjatë presidencës së Trump, është më e gjata njëkohësisht. Megjithatë rekordi është vendosur gjatë presidencës së Bill Clinton, në vitin 1996, kur mbyllja e qeverisë zgjati 21 ditë.

E njëjta situatë u përsërit gjatë presidencës Obama në vitin 2013, pas përplasjes me republikanët për ligjin e shëndetësisë. Por kjo mbyllje e qeverisë, e cila edhe pas 2 javësh nuk duket se ka dritë jeshile, ka hyrë në histori: është e vetmja që ka kaluar nga një kongres në tjetrin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos