Më pak njerëz në protestë, Berisha paralajmëron socialistët

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2023, 16:32 | Politikë
Më pak njerëz në protestë, Berisha paralajmëron

Me të njëjtin skenar si në dy protestat e shkuara, demokratët u grumbulluan sërish para oborrit të Parlamentit.

Këtë herë, mbështetësit ishin më të paktë në numër, ndërsa Sali Berisha u bashkua me ta pas gati 90 minutash. Kreu demokrat i dërgoi një mesazh socialistëve në lidhje me vendimin që pritet të marrë gjykata sa i përket drejtimit të PD: “Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata më datë 3, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD”.  

Protesta kombëtare e 3 marsit thotë se nuk ka lidhje me gjykatën, por me Edi Ramën, ndërsa vijoi të përsërisë thirrjen për një revolucion paqësor: “Për tre minuta, jemi brenda në Parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon. 3 marsi është ditë fitoreje për revolucionin”. 

I pranishëm në tubim ishte edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta: “Unë vij nga PS, duhet të them një histori si u arriti ky Parlament deri këtu që përjashton gra e deputetë të nderuar. Sepse ai është në gjendje shumë të rëndë, por edhe sepse e ka shuar PS-ja dhe Shqipëria vuan nga kartonokracia”. 

I përjashtuar nga punimet e Kuvendit, deputeti Oerd Bylykbashi tregoi se kryeminisitri Edi Rama ka frikë nga çështja McGonigal, ndaj pengon çdo nismë të marrë nga opozita për hetim parlamentar: “Ai ka frikë nga kjo çështje, ai do të pranojë çdo lloj gjëje që mos t’i dalë llumi i kësaj çështjeje, në SHBA nuk mbyllet kjo çështje, FBI-ja i shkon deri në fund”. 

Protesta e radhës e opozitës do të jetë në 3 mars, në orën 12:00, para Kryeministrisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos