
Në vendimin e arsyetuar, gjyqtarët Engert Pëllumbi, Florian Kalaja dhe Igerta Hysi kanë konstatuar situata të pashpjegueshme të marrëdhënieve mes Tahirit e zyrtarëve të policisë së Vlorës, me anëtarë të grupit të Habilajve.
Gjykata vlerësonte, se ndonëse Tahiri në gjykim mohonte njohjen me Moisi Habilaj, rezultonte se ky fundit ishte angazhuar për riparimin në Itali të mjetit lundrues në përdorim të ish-ministrit, se ish-ministri dhe bashkëshortja kishin pranuar shërbime udhëtimi jashtë shtetit nga vëllai i Moisi Habilajt, Artan Habilaj dhe se babai i ish-ministrit kishte udhëtuar me të njëjtën linjë fluturimi nga Shqipëria në Itali e anasjelltas e se ditën e kthimit kanë qëndruar në një dhomë hoteli.
Lidhur me bizhutw e çmuara të blera nga Habilajt për t’iu dhuruar të afërmve të Tahirit, gjykata shprehet se pavarësisht se nuk provohet të janë pranuar, tregon se ai ndjente një detyrim apo mirënjohje jo të zakonshme. Apeli ve theks në arsyetim tek shitja e automjetit të Tahirit tek Habilajt dhe mos ndryshimi i lejes së qarkullimit të saj për dy vite.
“Ky i pandehur ka lejuar të përfitojë trajtim preferencial në formën e shërbimeve nga persona të lidhur me botën e krimit të organizuar(rasti i shërbimeve të kryera Skafit “Auras” nga ana e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj). Së dyti, i pandehuri z. Saimir Tahiri rezulton të ketë favorizuar të njëjtën persona të lidhur me botën e krimit të organizuar, duke lehtësuar kryerjen e veprimtarisë nga ana e tyre, nëpërmjet vënies në dispozicion të automjetit të tij Audi A8 me targa AA 003 GB, edhe pse kishte ligjërisht ende pronësinë e këtij mjeti, çka botërisht dihej si makina e ministrit. Kjo i ka garantuar atyre paprekshmërinë nga ana e forcave të rendit”.
Sipas gjykatës, Tahiri ka pasur komunikime të shumta me numra telefonike me të cilët komunikojnë edhe anëtarë të grupit të Habilajve, ndërsa një vartës në ministri, person i afërt me të, ka 4 thirrje dhe 226 sms me Moisi Habilajn.
Si fakt rëndues penal, gjykata shpreh faktin se Tahiri nuk i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm nisjen e një hetimi pas deklaratave publike të ish-oficerit të Policisë, Dritan Zagani, në vitin 2015, lidhur me garancitë e grupit të Habilajve nga Tahiri.
Në përfundim gjykata arsyetonte se Shkalla e Parë kishte gabuar, kur konvertoi në Shërnim Prove dënimin me burg të Tahirit.
“Edhe pse rrethanat familjare si dhe sjellja e të pandehurit pas kryerjessë veprës penale është e tillë që mbahen në konsideratë edhe nga Gjykata e Apelit ato, të vetme, nuk mund ta çojnë këtë gjykatë në përfundimin se ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri duhet të vendoset pezullimi i dënimit me burgim dhe vënia e tij në provë”.
Sipas Apelit të Posaçëm, nga karrigia e ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri ka lejuar me ndërgjegje që vëllezërit Habilaj të përdorin lidhjet ndër personale me të si kredenciale dhe ka lejuar me ndërgjegje të marrë edhe përfitime të padrejta për shkak të detyrës, së ushtruar në mënyrë abuzive. (A2 Televizion)