
Ali Zili, autori i dyshuar i vrasjes së dy grave në Devoll të shtunën e 5 marsit, është lënë në burg nga Gjykata e Korçës. Ai u arrestua ditën e ngjarjes tragjike, ku gra, të moshës 60 dhe 80 vjeç, mbetën të vrara në banesën e tyre.
“Më kishin lekë borxh, kam qenë i dehur. Shkova t’i kërkoja lekë, ndërsa ato më thanë që nuk m'i jepnin. Nuk mbaj mend sepse kisha pirë alkool”, mësohet të ketë thënë Zili para Gjykatës.
Dy viktimat, nuse e vjehrrë, Fatmira dhe Bukurie Bami, jetonin të dyja në një banesë. Sipas dëshmive që A2 CNN mblodhi ditën e ngjarjes, ato kishin bërë rezistencë kur Zili u kishte hyrë në shtëpi, për këtë arsye ai i kishte goditur me mjete të forta, duke u shkaktuar edhe vdekjen.
Dyshimet janë se autori ka shkuar për t’i grabitur pasi disa ditë më parë, 60-vjeçares i kishte ardhur e bija nga Greqia dhe autori ka menduar se kanë para në banesë. Po ashtu, mësohet se ditë më parë, autori iu kishte çuar lëndë drusore grave për ngrohje, pasi ai me këtë punë merrej dhe jetonte.
Ali Zili, i njohur si problematik në fshat dhe i dëbuar më parë për dhunë në familje, ishte i varfër dhe jetonte me shitjen e druve. Pas arrestimit, ai pranoi autorësinë e ngjarjes. (A2 Televizion)