
Lëvizja Socialiste për Integrim ka sulmuar edhe njëherë qeverinë për mënyrën sesi ajo po e menaxhon situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Sipas nënkryetarit të kësaj partie, Petrit Vasili, qeveria nuk ka një strategji për përballimin e pandemisë dhe thjesht improvizon nga mëngjesi në darkë.
“Kjo pandemi për fat të keq, ka hyrë tërësisht në rrugën e spontanitetit, ndërhyrjeve të improvizuara, të fragmentuara që ecin me logjikën e ditës dhe me asnjë perspektivë afatgjatë dhe të përballimit serioz të pandemisë. Së pari jemi të detyruar të pohojmë qartë dhe prerë që qeveria shqiptare ka adaptuar një hiç strategji, thjesht një improvizim të ditës, e cila nuk i jep asnjë përgjigje konkrete pandemisë. Pandemia kërkon në radhë të parë të kontrollohet dhe në radhë të dytë kërkon çdo mjet dhe çdo mundësi kufizimi për evitimin e përhapjes së saj”, shprehet Vasili.
Numri dy i LSI-së gjithashtu përsëriti thirrjen drejtuar autoriteteve për të shtuar numrin e testimeve për të kuptuar përhapjen e vërtetë që ka në vend koronavirusi.
“Shifrat e ditës së sotme pas shumë javësh kufizimesh drastike, kemi të njëjtat shifra siç kemi pasur ditën e dytë të pandemisë. Është e qartë që Shqipëria po tregon për shkak të mungesës së testimeve, që nuk bëhen për të fshehur të vërtetën e pandemisë, një e vërtetë që u takon ta dinë qytetarët në mënyrë që të kenë mundësi të mbrohen, të njohin shkallën e problemit. Shqipëria ka shpikur në vend të kurbës që tashmë e ka çdo vend i botës me ngjitje dhe zbritje, ka këtë kurbë sharrë, e cila nuk ka fare të bëjë me mënyrën se si pandemitë duhet të ndiqen. Qytetarë, ju e kuptoni shumë mirë që Shqipëria nuk mund të vlerësojë në rast se kurba zbret apo nuk zbret, sepse nuk bëhen testime. Ndjekja është tërësisht një ndjekje aprofesionale”, shtoi Petrit Vasili. (A2 Televizion)