
Nga 1 korriku deri sot, nëpërmjet pikës së kalimit të kontrollit kufitar në aeroportin e Rinasit kanë hyrë mbi 100.000 shtetas shqiptarë dhe të huaj më shumë se në vitin 2019. Lajmi e ka dhënë drejtori për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit Eduart Merkaj, gjatë inspektimit në Rinas.
“Me lehtësimin e kushteve për të hyrë në vendet e BE-së, fluksi ka qenë në rritje, krahasimisht edhe me 2019 që ka qenë një vit relativisht me shumë fluks. Vetëm në Komisariatin e Rinasit, nga data 1 korrik deri sot, ka një rritje prej 100 mijë personash. Kjo rritje nuk është parë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka një fluks të shtuar. Kryesisht hyrja është për arsye turizmi, ndërsa pjesa tjetër e personave që duan të hyjnë në Shqipëri janë për arsye pune ose për arsye të tjera të ndryshme”.
Ai tha se janë marrë të gjitha masat për çdo drejtori dhe për kontrollin e rreptë kufitar për parandalimin e krimeve ndërkufitare.
“Kemi dhe një rritje të goditjes për sa i përket krimeve ndërkufitare, kjo duke filluar që nga personat në kërkim të kapur në të gjitha pikat e kalimit kufitar, të cilët kanë qenë në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, goditja e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike, nga persona të cilët kanë qenë në hyrje apo në dalje në pikat e kalimit kufitar, deri te përdorimi i dokumenteve të falsifikuara në pikat e kalimit kufitar. Janë marrë masat nga ana jonë që të jetë një kontroll sa më i saktë, sa më i rreptë i kufirit të gjelbër, gjithashtu të ketë një kontroll sa më rigoroz në kufirin blu, në kufirin detar”. (A2 Televizion)