
Telenovela e verës që përkon me emrin e sulmuesit belg Romelu Lukaku, i cili përfshiu në vallen e transferimeve dhe akuzave Interin, Juventusin, Chelsea-n dhe Ligën Arabe, do të marrë fund nesër.
Konfirmimin për këtë e ka dhënë vetë bomberi teksa foli për mediat nga Belgjika, ku ishte i pranishëm në një turne për të rinjtë.
“Nesër do të fluturoj për në Romë për të nënshkruar... Jam nervoz”, tha Lukaku për Het Laaste Nieuws, duke zbuluar marrëveshjen me ujqërit e Mourinhos që përflitej prej ditësh.
Drejtuesit verdhekuq i plotësojnë kështu dëshirën “The Special One”, duke i sjellë në ekip një sulmues me emër, që në Seria A ka lënë gjurmë me Interin, duke bërë tifozët romanë të ëndërrojnë.
Drejtori i përgjithshëm Tiago Pinto dhe zv-Presidenti Ryan Friedkin kanë fluturuar për në Londër në orët e para të pasdites të së premtes dhe në mbrëmje ndoqën në stadiumin Stamford Bridge sfidën Chelsea- Luton.
Pas ndeshjes ata kanë darkuar me drejtuesit e Bluve dhe aty operacioni i huazimit me vlerë 8-10 milionë euro (12 milionë euro pagë për Lukakun) ka marrë jetë.
Sakaq, Mourinho do të gjejë sërish sulmuesin belg pas përvojës së tij të Manchester United mes viteve 2017 dhe 2018. (A2 Televizion)