
Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu paralajmëroi përmes një deklarate për shtyp vendimin e Komitetit të Ekspertëve për hapjen e ambienteve të brendshme të lokaleve dhe pishinave duke filluar nga data 1 tetor.
Duke përmendur edhe njëherë rëndësinë e zbatimit rigoroz të protokolleve anti-Covid, ministrja Manastirliu theksoi se diskot dhe lokalet e natës do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura.
“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posaçëm të sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor, të restoranteve në ambiente të mbyllura, bar-kafeve dhe pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt.
Besoj te gjithë biem dakord se respektimi i rregullave dhe protokolleve të sigurisë është KUSHT I PANEGOCIUESHEM për te vijuar pa ndërprerje aktivitetet e biznesit dhe të shërbimeve dhe që ekonomia të mos cenohet nga kufizimet e detyruara për shkak të ruajtjes së shëndetit publik.
Sjellim në vëmendje se do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin Korrik, të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)