Tre makina janë djegur gjatë natës në lagjen 28 Nëntori të qytetit të Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku makinat kanë qenë të parkuara poshtë pallatit.
Dyshimet e para të policisë janë për zjarrvënie të qëllimshme, pasi dy prej makinave, makina tip “Golf” dhe “Ford” iu është hedhur lëndë djegëse dhe më pas i kanë vendos flakën ndërsa është djegur edhe makina tjetër që ishte parkuar midis të dyjave.
Zjarrfikësit kanë mbërritur dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke shpëtuar edhe makina të tjera të parkuar në atë zonë.
“S’kam pas konflikt me asnjë person, nuk e di pse më është bërë kjo gjë. Unë punoj në ndërtim, kam parkuar këtu si çdo natë. Nuk kam dyshime fare, nuk e di pse më është bërë kjo gjë. Shpresoj që policia ta gjejë personin dhe të zgjidhet çdo gjë”, tha për mediat Nerizan Hoxha, njëri prej pronarëve të makinave të shkrumbuara.
Policia sakaq, ka marrë në pyetje pronarët e mjeteve ndërkohë që po këqyrin dhe kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë për të zbuluar më shumë rreth autorit/ve.
Ndërkohë, nëna e njërit prej pronarëve të makinave të djegura ka thënë për mediat se i biri nuk ka konflikt me askënd dhe punon elektriçist. Gjithsesi policia po merr në pyetje edhe banorë të tjerë të lagjes ku ndodhi ngjarja. (A2 Televizion)