
Buxheti për vitin 2022 nuk merr pëlqimin e Presidentit. Për herë të tretë Ilir Meta i kthen për rishqyrtim ligjin më të rëndësishëm fiskal maxhorancës socialiste duke nënvizuar se ai nuk reflekton nevojat e qytetarëve në një kohë kur pritet një valë tjetër rritje çmimesh.
Në realitet nuk ka rritje të të ardhurave reale në vitin 2022krahasuar me vitin 2021, përkundrazi ka ulje, dhe performanca e mbledhjes së të ardhurave parashikohet të përkeqësohet në vazhdim. Ndërkohë që, pritshmëria e rritjes së çmimeve për vitin 2022 do të jetë në një nivel më të lartë se në vitin 2021.
Presidenti Ilir Meta
Sektori që e ka shqetësuar më shumë presidentin është bujqësia, që sipas tij nuk merr mbështetjen e duhur buxhtore dhe ka shkaktuar indinjatën e fermerëve.
Moskujdesi i politikave fiskale ndaj sektorit të bujqësisë ka shkaktuar protesta masive të fermerëve. Ky buxhet i vitit 2022, nuk reflekton përpjekje reale për të përmbushur kërkesat për mbështetje të fermerëve shqiptarë.
Presidenti Ilir Meta
Argumentet presidencial, aq më shumë kur bëhet fjalë për buxhet vjetor, nuk janë marrë në konsideratë nga maxhoranca socialiste e cila nisur nga precedentët me buxhetet e viteve 2019 dhe 2021, duket se e priste një lëvizje të tillë, duke parashikuar në agjendën parlamentare edhe dy seanca te tjera për këtë vit.
Edhe presidenti nuk pret që socialistët të veprojnë ndryshe këtë herë, ndaj më shumë se sa të bindte ndërgjegjen e deputetëve, shfrytëzoi mundësinë për t’i dërguar një mesazh të qartë për socialistët se paqe me ta nuk ka, edhe pse publikisht së fundmi është marrë me një armik tjetër, Lulzim Bashën. (A2 Televizion)