
Presidenti Ilir Meta do t’i kërkojë SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar keqpërdorimin e të dhënave personale nga ana e Partisë Socialiste. Në një deklaratë për mediat nga Pogradeci, kreu i shtetit tha se kjo është një shkelje e papranueshme.
“Të gjitha cilësitë si drejtues i shtetit drejtuar SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen e fundit skandaloze, atë të keqpërdorimit dhe vjedhjes nga ana e PS të të dhënave personale të gjithë qytetarëve shqiptarë. Është një shkelje e papranueshme dhe e poshtër e çdo norme dhe morali për t’i vendosur në dispozicion të vetëm një forcë politike. Përdor forma të tilla të poshtra ku bën presion, u keqpërdor të dhënat me qëllimin intimidimin e tyre. Koha që shqiptarët kishin frika nga qeveria ka mbarur. Data e fundit ishte 2 marsi, kjo qeveri ka ikur nga mendja dhe veç të tjerash se shkel ligjin. Ka ardhur koha që qeveritë që do të vijnë do kenë frikë nga populli dhe askush s’do mund t’i frikësojë e intimidojë ata dhe zbojë ata për t’u zëvendësuar me qytetarë të Bangladeshit që nuk kanë pretendime për liri e demokraci”.
I pyetur nga mediat në lidhje me akuzat e kryeministrit se ai fshihet pas grevës së kontrollorëve, Meta u shpreh se kjo është një marrëzi e Ramës.
“Marrëzi e një njeriu të certifikuar prej kohësh nga çmenduritë e tij, ashtu si lajmet që shpërndan në media se kishin marrë kullën e kontrollit. Shqiptarët kanë detyruar 8 vjet marrëzi të tilla. Fundi i marrëzisë është 25 prilli, çdo gjë mund të bëhet kurban, por jo 25 prilli, është dita e triumfit të djemve e vajzave patriotë që jo vetëm nuk kanë ikur, po luftojnë të kthejnë dhe të tjerët që janë larguar”.
Ai akuzoi kryeministrin se përmes Afrim Qendros po frikëson vlonjatët, por që do të marrë ndëshkimin e merituar nga vlonjatët.
Vlora u provokua mjaft rëndë para pak ditësh me bisedë gjoja telefonike ku porositej njeriu që duhej të ishte në burg për shkak të manipulimeve me dosjen e Dibrës që t’i bënte dhe tërmet Vlorës dhe kanë gjetur një bandit si Afrim Qëndro që duhet të ishte në burg për Astirin, i cili kontrollon gjithçka për të shtypur e ndrydhur Vlorën. Vlora ia ka bërë gjithnjë fora dhe është më e lënduar nga të gjithë për gjërat që ka parë atje dhe Vlora ia ka bërë dhomën gati për të trajtuar njerëzit me probleme mendore. Ai është i certifikuar me probleme mendore”. (A2 Televizion)