Meta për ngjarjen në Himarë: Rama bën viktimën, por është autori që jep garanci

Nga A2 CNN
3 Gusht 2022, 15:28 | Politikë
Meta për ngjarjen në Himarë: Rama bën viktimën, por

Edi Rama bën viktimën, ndërkohë është autor i ngjarjes. Kështu e cilësoi Ilir Meta reagimin e kryeministrit për ngjarjen tragjike të Himarës. Në një deklaratë për mediat, kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se qeveria del garantore ndaj atyre që konsiderohen të fortët, gjë që shkakton edhe situata tragjike.

“Sot kërkon të bëjë viktimën, sepse autori i këtyre vrasjeve është ai me arrogancën e tij. Është ai që i jep siguri politike dhe garanci për pandëshkueshmëri të gjithë atyre që sillen në atë mënyrën siç e pamë dje. Populli po ringrihet dhe duke u ngritur populli do të ngrihet edhe shteti dhe kjo është e padiskutueshme”, u shpreh Meta. 

Deklarata e Metës u bë nga Roskoveci ku ishte për të parë nga afër problematikat e bujqësore dhe blegtorale.

“Ka falimentuar pikërisht për shkak të një kryeministri diletant që u bënë 10 vjet që bën eksperimente kundër shqiptarëve, kundër shtetit, dhe që pothuajse ka falimentuar gjithçka”, theksoi kreu i Partisë së Lirisë.

Rikthimi i Metës në politikë erdhi nga zyra e Presidentit të Republikës, por fermerët i kujtuan kohën që qeveriste me Edi Ramën, duke kritikuar veprimet e ish-ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, të cilin kreu i Partisë së Lirisë e kishte në krah.

“Edhe ju kur keni qenë në qeverisje me Ramën, keni bërë gabimin më fatal me këtë njeriun që ka qenë ministër Bujqësie. Keni dhënë 10% subvencionimeve pikave të grumbullimit. Keni bërë gafën numër 1”, kritikoi fermeri.

Pas marrjes së drejtimit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka filluar takimet në terren. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos