Meta për “Radio France Intenational”: Parisi na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2019, 13:38 | Politikë
Meta për “Radio France Intenational”: Parisi na mbështet

Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për “Radio France Intenational”, deklaroi se “edhe pse në tetor Franca e deklaroi veten "jo në favor" për nisjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, ne e dimë se Parisi na inkurajon dhe na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE”.

“Franca dhe Gjermania kanë qenë shtyllat kryesore të BE që nga krijimi i saj. Këto dy vende kanë marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe tani janë duke hedhur themelet për të ardhmen e Europës përballë shumë sfidave. Kjo nuk është hera e parë që Franca u ka kërkuar vendeve që aspirojnë për t'u bërë anëtare të BE-së të jenë më efikase dhe më të qëndrueshme në plotësimin e reformave. Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj. Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj. Ju e dini, gjeografikisht, Shqipëria dhe Ballkani janë në qendër të Europës. Ndaj, politikisht duhet të jemi pjesë e plotë e BE-së”, deklaroi Meta.

Presidenti shtoi: “Edhe pse në tetor, Franca e deklaroi veten "jo në favor" për nisjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, ne e dimë se Parisi na inkurajon dhe na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE. Përpjekje të bazuara në demokraci, zhvillim, stabilitet dhe bashkëpunim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos