Shengeni Ballkanik, “vetëpërjashtimi” i Kosovës, opozitarët kundër Ramës

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2019, 20:31 | Politikë
Shengeni Ballkanik, “vetëpërjashtimi” i Kosovës,

“Këtë radhë jo me mospranim, por me vetëpërjashtim”. Të dielën në Ohër, kryeministri shqiptar Edi Rama foli për një vetëpërjashtim të Kosovës nga procesi i Shengenit Ballkanik.

Por nuk mendojnë kështu opozitarët në Parlament. Sipas tyre, Rama duhet të ishte përjashtuar vetë përsa kohë Kosova nuk merr pjesë, e jo të hidhte sytë nga Serbia.

“Mendoj se sytë tona nuk duhet të jenë drejt Serbisë, por duhet të jenë të ngulura fort drejt aleatëve tanë strategjik. Jugosllavia nuk rilind pasi nuk ekziston Tito”, u shpreh Ralf Gjoni.

“Nuk është një organizim që Rama po shkon në një festë në Paris. Zoti Rama po shkon të bëjë një organizim politik me një rëndësi të jashtëzakonshme për historinë dhe Ballkanin. Kështu që nuk ka të vetëpërjashtuar. Rama duhet të ishte vetëpërjashtuar nëse pjesë e këtij shengeni nuk do të ishte edhe Kosova”, tha Andi Përmeti.

Në kampin tjetër, socialistët nuk shohin asgjë të keqe në heqjen e kufijve ekonomikë në Ballkan. Ata hedhin poshtë çdo hipotezë për rilindjen e historive të së shkuarës.

“I keni marrë përgjigjet. Nëse ju duhet për hilaritet, në asnjë mënyrë. Ashtu si nuk ka Shqipëri të madhe, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë më nga këto teoritë. Të gjithë e kemi vendin në Europë”, shprehet Ervin Bushati. “Çdo gjykim nga pikëpamja nacionaliste, “patriotike” e dëmton zhvillimin e rajonit tonë. Nuk ka asnjë lloj këndvështrimi tjetër”, tha Musa Ulqini. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos