
Presidenti shqiptar Ilir Meta, përkujtoi sot 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që shënoi fundin e luftës civile në Maqedoninë e Veriut.
Duke vlerësuar progresin e deritanishëm për respektimin e saj, Meta inkurajoi “domosdoshmërinë e zbatimit të plotë dhe jetësimit integral, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për të forcuar marrëdhëniet, si dhe për t'u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian”.
Meta vlerësoi komunitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në këto dy dekada si “jo vetëm të përkushtuar për stabilitetin e vendit, por edhe garantë të integrimit euroatlantik të saj”.
Presidenti shqiptar evidentoi se “respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut”. (A2 Televizion)