
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi qeverinë Rama se po i shpenzon paratë e buxhetit të shtetit për afera korruptive, në vend që të ndihmojë pensionistët.
Ish-presidenti reagoi pas miratimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për dhënien nga 100 euro shtesë për muajin tjetër për pensionistët e vendit.
“Pas Maqedonisë së Veriut, edhe Qeveria e Kosovës ndërmerr hapa konkretë për të mbështetur shtresat në nevojë për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë. 100 euro shtesë do të jetë shuma që do të përfitojnë pensionistët në Kosovë gjatë muajit tetor. Po në Shqipëri? Ndihma e Qeverisë Rama për pensionistët nuk është as sa një kafe në ditë, sepse paratë ajo i shpërdoron dhe i vjedh për inceneratorët dhe koncesionet, ndërsa për pensionistët në Shqipëri jetesa është e papërballueshme”, tha Meta.
Një ditë më parë, edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një paketë masash për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve, në vlerë mbi 350 milionë euro. Nga kjo paketë përfitojnë mbi 91 mijë pensionistë që do të ndihmohen me 1500 dinarë, ose 24 euro në muaj. (A2 Televizion)