Miami Heat nuk “vdes” kurrë. Tashmë, favoritët e Los Angeles Lakers e kanë mësuar këtë leksion, që do t'i duhet patjetër në qoftë se duan të fitojnë titullin e kampionit të NBA, në një edicion kaq të çuditshëm si ky i këtij viti pandemik.
Ekipi nga Florida fitoi sfidën e pestë të finaleve me rezultatin e ngushtë 111-108, padyshim përballja më emocionuese deri më tani. Tashmë kalifornianët LeBron James dhe shokët e tij janë përpara 3-2, kanë ende dy “match point” për të arritur fitoren, por duhet t’i druhen një Jimmy Butler heroik, protagonist i 35 pikëve dhe 11 asist.

Gara 6 do të luhet natën midis së dielës dhe së hënës tonë, dhe premton sërish spektakël midis Butler dhe LeBron, që edhe dje shkëlqeu gjithsesi me 40 pikë. (A2 Televizion)