Ministri Çuçi paralajmëron: Dronë super inteligjentë për kontrollin e territorit. Iku koha kur policët shtynin makinat

Nga A2 CNN
13 Qershor 2021, 10:09 | Aktualitet
Ministri Çuçi paralajmëron: Dronë super

“Në Shqipëri do të vijnë dronët super inteligjentë për kontrollin e territorit”. Këtë paralajmëroi një ditë më parë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së. Sipas tij ka ikur koha kur policët shtynin makinat që nuk ndizeshin dhe Shqipëria do të hyjë në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim.

"Kjo nuk është as retorikë as inerci, por çka po them është e mbështetur në përgatitjen për të bërë një kapërcim historik për të cilin mjafton t’ju jap një shembull: Këtë rrugë e kemi nisur me zëvendësimin e makinave që nuk ndizeshin dhe i shtynin policët. Në këtë mandat të tretë do e nisim me sjelljen në Shqipëri të dronëve super inteligjentë. Shqipëria do të hyjë modestisht për nga sasia, por edhe njësoj për nga cilësia, në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim", tha Çuçi.

Duke folur për kontrollin e territorit, Çuçi tha se do të marrë fund epoka e zaptimit dhe ndërtimeve vend e pavend pikërisht duke monitoruar gjithçka përmes pajisjeve teknologjike të fundit siç janë dronët super inteligjentë.

"Ne do të shtrijmë fuqinë e revolucionit digjital në të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit, ku përmes kapaciteteve të inteligjencës teknologjike, do të kontrollojmë me precizion çdo metër katror të territorit të Shqipërisë. Do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht mbiemrit apo fuqisë që ke ose për kë voton. Asnjë tolerancë! Me teknologjinë do të bëjmë të mundur kontrollin e territorit dhe të kufirit, për parandalimin e çdo forme paligjshmërie, nga trafiqet, tek kultivimi i bimëve narkotike", tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm gjatë vizitës së fundit në Turqi vizitoi fabrikën "Baykar Defense", e cila prodhon dronë të teknologjisë së lartë. Çuçi tha se Shqipëria po vlerëson mundësinë për marrjen e këtyre dronëve për qëllime civile e urbane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos