Ministrja Kushi sqaron mënyrën se si do të zhvillohen provimet në universitete

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2021, 15:54 | Aktualitet
Ministrja Kushi sqaron mënyrën se si do të zhvillohen provimet

Pas dritës jeshile të marrë nga Komiteti i Ekspertëve, për të kombinuar provimet online dhe në auditorë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi doli në një deklaratë për mediat ku dha më shumë detaje në lidhje me mënyrën e se si do të zhvillohet ky sezon.

Po ashtu, Kushi pati edhe disa kërkesa në lidhje me universitetet.

Së pari, në ato raste kur provimi i lëndës është e pamundur të zhvillohet “online”, për arsye të specifikave të lëndës, sipas vlerësimit të vetë universiteteve, provimi mund të zhvillohet në auditore, duke respektuar me korrektësi maksimale zbatimin e protokolleve anti-COVID;

Së dyti, universitetet të shohin mundësinë për t’i dhënë të drejtën studentëve të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo në këtë sezon, në varësi të mundësisë apo pamundësisë të tyre për arsye që lidhen me pandeminë. Të gjithë studentëve që nuk do të marrin pjesë në këtë sezon, t’u ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm, në varësi të përmirësimit të situatës së pandemisë;

Së treti, sugjerojmë që kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë midis provimeve dhe për të parandaluar mbipopullimin e mjediseve të universiteteve. Kjo do t’i ndihmojë edhe studentët që të kenë më shumë kohë për t’u përgatitur në këto provime;

Së katërti, sugjerojmë që mungesat e studentëve në leksionet apo seminaret “online” të mos i penalizojnë ata për pjesëmarrje në provime, duke vlerësuar vështirësitë objektive që mund të kenë pasur një pjesë e studentëve gjatë kësaj periudhe;

Së pesti, e konsideroj shumë të rëndësishme të sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj garantimin e kushteve për të minimizuar riskun e infektimit për studentët, pedagogët dhe të gjithë stafet universitare. Kjo nënkupton që:

Ndarja e studentëve të bëhet në grupe dhe orare të ndryshme;

Numri i studentëve në sallë të jetë jo më shumë se 15 veta, duke garantuar distancën e nevojshme;

Kohëzgjatja e provimeve të jetë jo më shumë se një orë,

Mbajtja e maskës të jetë e detyrueshme;

Higjenizimi i mjediseve të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe sidomos për sallat, para dhe pas çdo provimi.

Natyrisht që çdo universitet, sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të përgatisë një rregullore më të detajuar për të gjithë studentët dhe pedagogët, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e këtij procesi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos