
“Mungesat që studentët kanë bërë gjatë kësaj periudhe nuk do të jenë arsye për t’i penalizuar. Të drejtën ta kenë të gjithë studentët për të hyrë në provime”. Këtë konfirmoi në studion e Ditari në A2 CNN ministrja e Arsimit Evis Kushi, duke folur për vijueshmërinë e procesit mësimor për shkak të pandemisë në vend. Ajo tha se departamentet e universiteteve do të hartojnë shumë shpejt një rregullor për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi.
“Sezoni i provimeve të jetë më i gjatë se herët e tjera që të garantohet distancë kohore midis dy provimeve të njëpasnjëshme dhe për t’i dhënë mundësi studentëve që të përgatiten më mirë për provime. Studentët të kenë të drejtë të zgjedhin nëse duan ta japin provimin në këtë sezon apo jo. Departamentet e Universiteteve do hartojnë shumë shpejt një rregullore për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi”.
Kushi deklaroi gjithashtu se provimet e studentëve do të zhvillohen të alternuar një pjesë online dhe një pjesë në auditorë. Për këtë theksoi ajo morën konfirmimin nga Komiteti i Ekspertëve pas shkresës së drejtuar, por me kushtin që të respektohen masat anticovid.
“I mirëkuptoj të gjithë studentët që duan të kthehen në auditore, por prioriteti absolut është shëndeti i studentëve, pedagogëve dhe familjeve të tyre. Pas këtyre kërkesave i kam drejtuar një shkresë Komitetit të Ekspertëve për të vlerësuar mundësinë e zhvillimit në auditore të disa prej provimeve që është e pamundur të zhvillohen online. Drejtuesit e departamenteve i kanë sjellë këto provime që ata gjykojnë se është e vështirë të zhvillohen online. Dhe dje Komiteti Ekspertëve na ka dhënë një dritë jeshile por duhen respektuar rregullat anticovid”. (A2 Televizion)