
Roli i gruas në bujqësi është ende në nivele të ulëta promovimi dhe mbështetje. Dhjetëra projekte dhe incentiva të marra për të forcuar pozitën dhe rolin vendimmarrës të grave në zhvillimin rural nuk ia kanë dalë të jenë në efektivitetin e duhur. Një nismë e radhës, me mbështetjen e Ambasadës Italiane dhe organizatave mbështetëse, synojnë që të ketë një klimë më mbështetëse ndaj financimit të grave. Gjatë diskutimeve më kritik për mbështetjen e vonuar të grave janë shprehur agjencitë e specializuar të Kombeve të Bashkuara.
“Ka boshllëqe ende në fuqizimin e gruas. Ne duhet t’i adresojmë këto boshllëqe, sidomos ato që lidhen me aksesin e financimit. Ka programe për këtë pjesë por nuk janë të mirëfillta dhe nuk janë afatgjate. Aksesi i financimit është diçka që mungon. Gratë nuk janë aktive dhe nuk ftohen në shërbime bujqësore. Gratë duhet të kenë më shumë rol, më shumë përgjegjësi për vendimmarrje. Një problem tjetër është e drejta e pronës, pasi sot kemi ende gra të cilat nuk gëzojnë këtë të drejtë”, u shpreh Arben Kipi.
Roli i gruas në bujqësi, sipas përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare për barazi gjinore, është lënë nën hije për shkak të disa pengesave që krijohen.
“Fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë, për forcimin e rolit në zhvillimin rural. Të dhënat tregojnë që gratë po luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë rurale të vendin. Ato paraqesin inovacione dhe kontribuojnë në zinxhirin prodhues. Për fat të keq ky kontribut mbetet i padukshëm për shkak të sfidave që dalin rrugës, si p.sh: niveli i lartë i informalitetit, aksesi i kufizuari financimit, imputeve, biznesit. Paharruar boshllëqet gjinore në ekonominë rurale”, tha Michele Ribotta.
Ministria e Bujqësisë nuk ka folur për mbështetjet direkte që janë ofruar ndaj grave, por mbështesin sërish nismat që vijnë nga Kombet e Bashkuara.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gratë në Shqipëri përbëjnë afro 55% të forcave të punës në bujqësi, një prezencë e lartë ku nuk përjashtohen edhe forcat punëtore ende të paregjistruara. (A2 Televizion)