
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, priti në ambientet e Ministrisë mundësin Zelimkhan Abakarov, i cili fitoi medaljen e artë nën flamurin kuqezi, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Mundjes.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, z. Sahit Prizreni, trajneri Leonard Çakmashi, sportisti Islam Dudaev dhe Arblin Karaj, anëtar i Kryesisë së Federatës.
Sportisti nga Çeçenia, Zelimkhan Abakarov, prej gati dy vitesh garon për flamurin kuqezi dhe i ka sjellë Shqipërisë edhe një tjetër medalje e artë në Lojërat Mesdhetare në stilin e lirë, 65 kg.
“Mirëprita në MAS për të falënderuar dhe përgëzuar kampionin Zelimkhan Abakarov, i cili ia arriti të marrë medaljen e artë në Kampionatin Botëror të Mundjes, zhvilluar në Beograd. MAS do të vijojë t’i mbështesë sportistët elitarë të cilët përfaqësojnë denjësisht flamurin tonë kuq e zi në arenën ndërkombëtare”, shkruan Kushi në Facebook. (A2 Televizion)