
Arjan Mezini, mjek pneumolog, i cili punon në spitalin "Shefqet Ndroqi”, i shndërruar në spital COVID, foli në A2 mbi situatën aktuale në këtë spital, por edhe për pandeminë në tërësi.
Mjeku bën të ditur se aktualisht janë 6 pacientë në terapi intensive në spitalin Shefqet Ndroqi, nga të cilët 4 janë në frymëmarrje të drejtuar. Por, ai thekson se aktualisht janë edhe diku te 14-15 pacientë me pneumoni bilaterale, por që tamponi ka rezultuar negativ.
Sa i përket testimeve, Mezini thekson se duhet të kryheshin më shumë testime. “Dimë shumë më tepër se në fillim për virusin. Unë mendoj se niveli më i lartë i testimeve do të ishte shumë më i mirë. Do të ishte mirë që ne të kishim bërë 3 apo 4-fishin e testimeve. Një testim më i gjerë do të krijonte një kudër më të gjerë, ndërsa do të ndihmonte edhe për një projeksion të saktë”.
Më tej, mjeku foli edhe për analizën e imunitetit e cila u tha nga Ministria e Shëndetësisë se do të kryhej të paktën te mjekët. “Kjo analizë ende nuk ka nisur. Kjo analizë është një gjë shumë e mirë, e cila do të fillojë me personelin shëndetësor. Duke ditur përqindjen e personelit imun, do të jepte një ndihmesë shumë të madhe. Kjo është një analizë që tregon nëse dikush e ka kaluar apo jo Covid-19, me shenja të lehta apo asimptomatikë. Kjo analizë do të bënte të mundur që personeli shëndetësor të punojë në vijën e parë. Nuk besoj se ka ndonjë kosto shumë të madhe. Unë e kam kërkuar edhe më herët, por ka pasur probleme të ndryshme, duke qenë edhe një virus i ri. 96-97% është saktësia e këtij testimi”, u shpreh mjeku. (A2 Televizion)