
Prej disa ndeshjesh, Granit Xhaka është caktuar kapiten i skuadrës Arsenalit, por ky vendim i trajnerit Emery nuk është pritur mirë nga tifozët e “topçinjve”.
Për të shkuar edhe më keq për futbollistin me origjinë shqiptare, skuadra është duke koleksionuar disa rezultate radhazi negative.
Kulmi i përplasjes mes tifozëve me kapitenin e tyre ka ndodhur në barazimin 2-2 të së dielës me skuadrën e Crystal Palace.
Xhaka u zëvendësua në minutën e 60 dhe ndërsa ai po linte fushën e lojës, tifozët e kanë vërshëllyer atë. Mesfushori nuk e ka duruar një situatë të tillë dhe ka reaguar ndaj tyre, ndërsa më pas ka hequr bluzën tejet i nxehur dhe është larguar menjëherë në dhomat e zhveshjes.
Ky veprim i Granitit është kritikuar edhe nga trajneri Emery pas ndeshjes. “Ai ka gabuar, por do të flasim brenda për atë situatë. Dua të jem i qetë, por ai vërtet gaboi me atë veprim”, ka thënë Emery pas ndeshjes. (A2 Televizion)