
Pas rebelimit 24 orësh të mercenarëve të Wagner, që sfidoi si kurrë ma parë pushtetin e Putinit, dhe që kishte si qëllim kryesor largimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ky i fundit shfaqet në një video teksa inspekton trupat e Moskës të përfshira në operacionin ushtarak në Ukrainë.
Shoigu, i cili duket i qetë, shfaqet fillimisht në një avion së bashku me një koleg, e më pas teksa dëgjon raportimet e një komande ushtarake. Nuk është ende e qartë kur dhe ku është zhvilluar vizita, por ajo është një sinjal i qartë se Shoigu vazhdon të ketë mbështetjen e Putin.
Gjatë kryengritjes së shkurtër, ku mori kontrollin e zyrave ushtarake në Rusinë jugore, Prigozhin kërkoi që Shoigu dhe Shefi i Shtabit të forcave të armatosura, Valeri Gerasimov, t’i dorëzoheshin atij, në mënyrë që të rivendoste drejtësinë, siç u shpreh.
“E keqja që mbart lidershipi ushtarak në vend duhet të ndalet. Ata neglizhojnë jetët e ushtarëve, kanë harruar fjalën drejtësi”, tha Yevgeny Prigozhin.
Kryengritësit e udhëhequr nga Prigozhin, avancuan drejt Moskës të shtunën për të rrëzuat ato që i quajtën liderë të paaftë dhe të korruptuar ushtarakë, para se të tërhiqeshin papritur në një zonë nën kontrollin e Rusisë në lindje të Ukrainës, pas një marrëveshje më Kremlinin të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
Ujdia, parashikon rrëzimin e akuzave penale kundër rebelëve në këmbim të kthimit të tyre në baza. Mbi bazë të ujdisë Prigozhin do të strehohet në Bjellorusi. Por media ruse shkruajnë se lideri i Wagner mbetet i akuzuar për kryengritje të armatosur, dhe është nën hetim nga FSB-ja ruse.
Pretendimi i Komersant, hedh poshtë raportimet e disa mediave dhe kanaleve në telegram, sipas të cilës zyra e prokurorit të përgjithshëm kishte kërkuar mbylljen e hetimeve penale kundër tij. (A2 Televizion)