Mungesa e mbikalimeve, kuksianët kalojnë mbi trafik-ndarëse në Rrugën e Kombit

Nga A2 CNN
13 Maj 2020, 15:26 | Aktualitet

Mungesa e mbikalimeve përgjatë segmentit Kukës-Morinë në Rrugën e Kombit, po kthehet në një rrezik serioz për shumë qytetarë kuksianë veçanërisht të moshuarit, të cilët kalojnë mbi trafik-ndarëse për të shkuar buzë liqenit.

Ata kanë vendosur edhe shkallë për të hipur mbi trafik-ndarëse, duke u kthyer në një rrezik jo vetëm për veten e tyre, por edhe për drejtuesit e mjeteve që kalojnë me shpejtësi në këtë segment rrugor.

Pamje të tilla, kur qytetarët tentojnë të kalojnë trafik-ndarësen për të kaluar në anën tjetër të autostradës në segmentin Kukës-Ura e Uzinës janë të përditshme.

Një i moshuar tenton të kalojë trafik-ndarësen

Të privuar nga mungesa e mbikalimeve, banorët e Kukësit, kryesisht të moshuar që duan të shkojnë buzë liqenit, detyrohen të zgjedhin kalimin mbi trafik-ndarëse apo përmes shkallëve.

Banorët shprehen se mbikalimi më i afërt është mbi 2 km larg dhe kjo është arsyeja që ata zgjedhin të rrezikojnë çdo ditë duke kaluar përmes autostradës sesa të ecin për të arritur te mbikalimi.

“Ne pleqtë nuk kemi më takat, do të na ikte e gjithë dita”, thotë njeri prej tyre.

Liqeni mbetet i vetmi vend ku të moshuarit e Kukësit dhe nostalgjikët mund të kalojnë kohën e lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos