
Iniciativat e fundit të qeverisë në fushën e ekonomisë kanë hapur debate të mëdha, veçanërisht propozimi i legalizimit për arsye mjekësore të kanabisit.
I intervistuar nga A2, eksperti i ekonomisë Dritan Shano mendon se qasja e fundit ekonomike tregon ose një çoroditje të madhe, ose keqdashje.
“Dy iniciativat e fundit në kulmin e një frike të madhe të ndjellë nga frika e pandemisë janë amnistia fiskale, që të sillnin emigrantët paratë e tyre, dhe më pas legalizimi mjekësor i kanabisit. Një qeveri patriote duhet të diskutonte kalimin e bujqësisë nga një nivel feudal në industri, turizmin nga një sektor të atomizuar në një sektor të organizuar dhe mbështetur nga shteti, si dhe një reformë rrënjësore të arsimit. Por qeveria merret me legalizimin e kanabisit”, thotë Shano.
Sipas tij, për të diskutuar mbi legalizimin do të duheshin “institucione tejet të forta, dhe jo inekzistente si në Shqipëri. Jemi një vend me histori të pasur narkotrafiku, dhe nuk më duket se Qeveria mund të kontrollojë pastërtinë e një aktiviteti që deri më tani ka qenë ilegal. Po shndërrohen narkotrafikantët në farmacistë, kaq”.
Ai ka dyshime nëse arkat e shtetit mund të përfitojnë shifra të mëdha me legalizimin e bimës, “në qoftë se nuk mbillet i gjithë territori shqiptar”, dhe se trafiku ilegal gjeneron shuma gjithsesi më të mëdha.
Shano beson gjithsesi se miratimi i këtij legalizimi do të ndodhë patjetër, dhe se “gjendja e fatkeqësisë zgjat deri më 23 qershor, në mënyrë që njerëzit mos të kenë mundësinë të protestojnë”.
E gjitha kjo lëvizje, sipas tij, kryhet në një situatë kritike për vendin. “Kam bërë telefonata në disa qytete të Shqipërisë, në zonat e gjelbra, janë rishfaqur listat e bukës”. (A2 Televizion)