
Vetëm 15 km larg Vlorës, fshati Panaja mbetet një nga zonat më të harruara, sa i takon investimeve. Një fakt i këtij konstatimi është edhe mungesa e ujit të pijshëm në çezmat e këtyre banorëve. Edhe ai pak ujë që vjen ndonjë orë është i pistë dhe nuk mund të konsumohet.
Për këtë arsye, banorët janë të detyruar të blejnë ujin e pijshëm, ndërsa të tjerë kanë hapur puse në oborret e tyre.
Por e përbashkëta e këtyre banorëve përveç mungesës së ujit të pijshëm është dhe fakti që i paguajnë rregullisht faturat e ujit, pavarësisht se këtë të fundit nuk e kanë.
Ajo që nuk i ka munguar këtyre banorëve janë premtimet prej 30 vitesh për ujësjellës. Ndërkohë, fshati ka mungesë të theksuar investimesh dhe në infrastrukturën rrugore. (A2 Televizion)