
Prania e këtyre makinave të tonazhit të rëndë në ambientet e Rafinerisë së Ballshit, alarmoi naftëtarët të cilët rendën pas tyre, duke bllokuar portën hyrëse.
Dyshimet e para i kanë se këto mjete janë dërguar nga kompania private që e administron Rafinerinë, për demontimin e saj. Ky proces për ta do të ishte fikje e çdo shprese për rikthimin e tyre në punë.
Për më shumë se 3 vite, naftëtarët nuk po e ushtrojnë profesionin e tyre dhe kërkojnë që të mos shkojë për skrap, ai që ishte burimi kryesor i të ardhurave për qytetin.
Çdo lloj ndërhyrjeje në rafineri me punonjës të jashtëm, sipas naftëtarëve është mjaft e rrezikshme. Nëntoka ka hidrokarbure të ndryshme, të cilat edhe mund të shpërthejnë nga pakujdesia.
Problem i tyre i madh janë edhe rrogat e prapambetura, gjyqi për të cilat vijon të zvarritet.
Pas shumë përpjekjesh, naftëtarët u njoftuan se një grup pune do të ngrihet nga Ministria për të dakordësuar dhe zbuluar më tepër, rreth situatës që po ndodh në Ballsh. (A2 Televizion)